Sipas KosovaPress, ata apelojnë që Komisioni Evropian të përdorë formulime të përpikta për të përshkruar progresin ose mungesën e tij për secilën pikë të përfshirë në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave në raportin e radhës.
Kjo, pasi sipas tyre, kur Bashkimi Evropian përdor kritere të drejta, të qarta e transparente të vlerësimit, ne jemi në gjendje të ushtrojmë trysni tek Qeveria që të punojë më shumë.
"Mungesa e gjuhës së qartë shërben si një pengesë që qeveria t'i përmbushë kriteret, duke parandaluar shoqërinë civile të mbajë qeverinë përgjegjëse. Bashkimi Evropian ka dëshmuar se mund të veprojë si katalizator për të ndërmarrë reformat e vështira. Ju apelojmë që të jeni po aq të drejtë kur bëhet fjalë për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës sa ishit edhe kur bëhej fjalë për fqinjët tanë dhe Turqinë sot", thotë ata.
Në letrën e tyre thuhet se Komisioni Evropian e ka nisur dialogun rreth vizave me Kosovës në janar të vitit 2012, dhe ia ka dhënë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizim të vizave në qershor të vitit 2012.
Bazuar në përvojën e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilat ndërmorën rrugëtim të njëjtë, të gjithë shpresuam se Kosova do t'ia dalë t'i përmbushë kërkesat më së largu brenda tri viteve. Sot, Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka të drejtë të udhëtojë pa viza. Por është shqetësuese që Kosova sot nuk duket më afër realizimit të qëllimit në krahasim me vitin 2012. Njëri nga problemet më serioze të cilat i kemi identifikuar është se Kosova po ashtu nuk trajtohet njëlloj si pesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.
Sipas tyre, në raportin për Kosovën nuk gjendet diskutimi për secilën pikë të udhërrëfyesit, nuk ka përshkrim të përpiktë të progresit, gjuha është e paqartë dhe nuk janë të qarta fushat prioritare. /atsh/