Dhjetori, muaji që shënon fundin e vitit kalendarik sjell një atmosferë festive në të gjithë botën ndërsa këtë mbrëmje në sheshin "Skënderbej" në Tiranë u ndezën dritat e pemës. Ka qenë kryebashkiakja e komanduar e Tiranës Anuela Ristani, e cila ka shtypur butonin për ndezjen e dritave.

Ndezja e dritave u shoqërua dhe nga zërat e qindra fëmijëve dhe të rinjve nga kori i shkollave të Tiranës, artistët e vegjël dhe grupet e baletit.

Sheshi Skënderbej dhe jo vetëm dominohet nga zbukurimet dhe pema simbolike në pritje të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Të pranishëm në shesh janë qindra qytetarë të cilët shijuan këtë moment magjik.

Edhe në Durrës Shijak, Elbasan e Fier dritat u ndezën nën ritmin e muzikës festive dhe këngëve të interpretuara nga fëmijët.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:54
Atmosferë magjike/ Elbasani ndriçohet për Festat e Fundvitit, ceremonia në sheshin kryesor të qytetit (VIDEO)

Edhe qyteti i Elbasanit ka ndezur dritat e festave të fundvitit këtë të shtunë, teksa qindra qytetarë ndoqën ceremoninë e organizuar nga bashkia.

Ndezja e dritave u shoqërua edhe me një koncert nga fëmijët, të organizuar nga qendra kulturore e qytetit.

Ora 18:25
Ndizen dritat, Fieri nën dekorin festiv të festave të fundvitit (VIDEO)

Atmosfera festive ka pushtuar sheshin qendror të Fierit, ku mbrëmjen e sotme u ndezën dritat e pemës së Krishtlindjeve në një ceremoni mjaft të ngrohtë.

Në qendër të festës ishin fëmijët e shkollave të qytetit, të cilët përmes buzëqeshjeve dhe entuziazmit të tyre i dhanë qytetit një atmosferë magjike, veçanërisht në momentin kur në shesh, iu bashkua mbrëmjes festive vogëlushja fierake, Nikita.

Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, mbajti fjalën hapëse të ceremonisë, duke uruar festat e fundvitit për të gjithë.

Dritat shumëngjyrëshe të pemës së Krishtlindjeve u ndezën nën një numërim të përbashkët, moment që shënoi fillimin zyrtar të festimeve të fundvitit në Fier.

Kjo ndezje simbolike e pemës së Krishtlindjeve e shoqëruar me një spektakël fishekzjarresh, shërben si një moment reflektimi dhe falënderimi, por edhe si një premtim për një vit të ri plot mbarësi.

Ora 17:51
Ndizen dritat e festave në Durrës e Shijak, qindra qytetarë dhe fëmijë i bashkohen ceremonisë së përvitshme (VIDEO)

Durrësi u shndërrua këtë të shtunë në një panoramë drite dhe hareje, teksa qyteti ndezi dritat festive që do të ndriçojnë çdo cep gjatë ditëve të ardhshme.

Në një ceremoni emocionuese të mbajtur në sheshin kryesor të qytetit, qindra qytetarë mes tyre edhe fëmijë u mblodhën për të ndarë së bashku momentin magjik të fillimit të festimeve.

Edhe në Shijak ndezja e dritave për festat e fundvitit u shoqërua me muzikë festive dhe këngët e fëmijëve që krijuan një atmosferë të ngrohtë.