TIRANE - Alternativa Civile ka tubuar mbrëmjen e së mërkurës për të thyer heshtjen dhe për të reaguar, për t’i thënë ndal korrupsionit në drejtësi. Sëbashku me disa shoqata të tjera të shoqërisë civile, para Universitetit të Arteve u organizua një protestë paqësore, pikërisht kundër korrupsionit në drejtësi.

Ky tubim vjen edhe si nismë e aktivitetit “Act now” i ambasadorit Aleksandër Arvizu për të nxitur qytetarët që të mos heshtin të flasin dhe të bëhen më të ndjeshëm ndaj problemeve të tyre.

Të pranishëm në këtë tubim, qytetarët ndezën qiri duke formuar fjalën drejtësi në nder të shumë qytetarëve që kanë humbur jetën padrejtësisht dhe kanë mbetur viktima të krimit.