ELBASAN - Rreth orës 23:00 të së hënës në një nga lagjet që shtrihet përgjatë Unazës Jugore të qytetit të Elbasanit u dëgjua një shpërthim tronditës i cili krijoi panik te banorët. Fillimisht u dyshua se shpërthimi mund të ishte shkaktuar nga vendosja e ndonjë sasie tritoli por pasi u identifikua vendi ku kishte ndodhur u zbulua se ai kishte ardhur nga shpërthimi i një bombe.

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit shpërthimi ndodhi pranë një kazani mbeturinash në afërsi të një lokali dhe shkollës 9-vjeçare "Jorenim De Rada" të Elbasanit. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar por vetëm dëme të vogla materiale në fasadën e një lokali.

Nga hetimet paraprake u zbulua se bomba e hedhur ishte artizanale. Nuk është e qartë nëse ata që e kanë përdorur kanë pasur si qëllim terrorizimin e pronarit të lokalit pranë të cilit ndodhi shpërthimi apo gjithçka mund të ketë qenë një lojë e rrezikshme adoleshentësh.

Gjithsesi policia e cila mbërriti me shpejtësi në vendin e ngjarjes po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tronditëse por fatmirësisht pa dëme në njerëz.

(an.qo/im/shqiptarja.com)