Kryeinspektori i ISHTI, Gazmend Osmani dhe inspektorë të këtij institucioni janë nisur menjëherë drejt qytetit bregdetar të Vlorës pas shpërthimit të bombolës së gazit në lagjen "Partizani".
 
Inspektorët verifikuan situatën ku ndodhi ngjarja dhe bëjnë me dije se subjekti që po bënte shpërndarjen e gazit nga një bombol e madhe për bombola të vogla të konsumatorëve familjarë ishte pirat dhe i palicencuar. Subjekti nuk zotëronte asnjë dokument në përputhje me ligjin. Nga shpërthimi, i cili nuk është shoqëruar me flakë mësohet se janë lënduar 2 persona, punonjësi dhe një qytetar. Ngjarja ndodhi ndodhi në kohën që po kryhej transfuzioni i gazit nga bombola në bombol.
 
Ndërkaq inspektorët pas verifikimit të kushteve do të marrin masën ndëshkimore, sipas ligjit, për subjektin i cili rezulton të jetë i paregjistruar dhe praktikisht i palicencuar.
 
Në vendngjarje kanë mbërritur dhe forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë, këta të fundit kanë ndaluar pronarin Gramoz Nelo. ISHTI po kryen procedurat në bashkëpunim dhe me policinë ndërsa çështja do i referohet Prokurorisë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com