Durrës- Shërbimet e policisë kufitare gjatë patrullimit në Gjirin e Lalzit kanë ndërhyrë në një rast rrezikimi të mbytjes në det të një shtetasi akoma të paidentifikuar. Sipas strukturave në fjalë personi është dërguar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore pasi ndodhet në rrezik për jetën.

Një tjetër person ka rrezikuar mbytjen në det, në bregdetin e Hidrovorit në Hamallaj të Durrësit. Shtetasi polak, P.R., 51 vjeç, ka marrë ndihmën e parë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në një nga qendrat shëndetësore të zonës. 51-vjeçari nga Polonia mësohet të jetë shpëtuar nga tre të rinj shqiptarë që kishin dalë në det me një varkë.

Ndërkohë Policia Kufitare Durrës i tërheq vëmendjen të gjithë pushuesve që gjatë larjes, veçanërisht në det të trazuar dhe për personat që nuk dinë not, të shoqërohen nga të afërmit e tyre ose persona të tjerë.