Politikani nacionalist rus, Sergei Baburin, i cili kishte shpallur kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale të planifikuara për 15-17 mars, tha sot se po tërhiqej nga gara dhe do të mbështeste presidentin aktual, Vladimir Putin.
Kreu i partisë Bashkimi Gjithpopullor Rus, Baburin, njoftoi ndryshimin e mendimit të tij menjëherë pasi dorëzoi dokumentet dhe nënshkrimet në komisionin qendror zgjedhor.
Mediat e huaja raportojnë se Baburin tha se do të ishte gabim të minohej uniteti kombëtar "në një orë të vështirë për atdheun", duke iu referuar luftës në Ukrainë.
Ai u bëri thirrje të gjithë rusëve patriotë që të bashkohen rreth Putinit, raporton Reuters.
Komisioni Zgjedhor i Rusisë deri më tani ka regjistruar katër kandidatë, përfshirë Putinin, për votime. Disa të tjerë, duke përfshirë kandidatin kundër luftës Boris Nadezhdin, do të dorëzojnë dokumentet deri të mërkurën.