Shpati Kolgega: Dua një FRESSH
vendimmarrës, jo të Facebook-ut

8 kandidatët për kreun e FRESSH-it do të përballen sot në një debat final në Pallatin e Kongreseve në prani edhe të kryetarit të Partisë, Edi Rama. Pas debatit të sotëm, në 22 tetor anëtarët e forumit rinor socialist do të zgjedhin me votë mes pretendentëve kryetarin e ri.

Shqiptarja.com sjell përmes një interviste vizionin e kandidatit Shpati Kolgega për drejtimin e FRESSH-it. I lindur në 27.11.1989 në Rrogozhinë, i arsimuar për Marrëdhënie Publike dhe Komunikim, Shpati synon një forum vendimmarrës dhe jo të fshehur pas rrjeteve sociale.

Kolgega, i cili, deri më tani ka spikatur gjatë debateve dhe ka marrë mbështetje në rrjetet sociale, shprehet se prej kohësh FRESSH nuk ka prodhuar më figura të forta politike, ndaj për këtë arsye, duhet që forumi të kthehet në identitet. Ai bën bilancin e sukseseve dhe gabimeve të qeverisë “Rama”.
 
Cila është historia juaj në FRRSSH?
Jam anëtarësuar në FRESSH në moshën 17 vjeç në qytetin e Rrogozhinës, kam qenë një anëtar i thjeshtë fillimisht e më pas u zgjodha kryetar i forumit të qytetit. Disa vite me radhë kam drejtuar forumin e Rrogozhinës, ndërkohe që pas vitit 2010 jam bërë pjesë e strukturave qendrore të FRESSH. Kam ardhur në Tiranë me shumë ëndrra, ideale për të ardhmen, por rrugës kam kuptuar që duhet shumë sakrificë dhe punë për të arritur pak sukses. Politika u kthye në pasionin tim kryesor, dhe pavarësisht shumë vështirësive unë kam qëndruar fort, dhe sot një nga ëndrrat e mia për të qenë në garën për kreun e FRESSH është realizuar. Unë nuk kam hequr dorë nga ëndrrat e mia, dhe çdo i ri duhet të bëjë të njëjtën gjë; të mos heqë dorë. Kontributi im më i madh ka qenë në kohën e opozitës, ku së bashku me miqtë e mi kemi ngritur shumë kauza,  protesta dhe shumë punë me strukturat e FRESSH. Në forum unë kam njohur dhe sot kam disa nga miqtë e mi më të mirë. Kemi punuar si një familje e madhe.
 
Cilat janë 5 vetitë tuaja që besoni se ju favorizojnë për ta fituar ju garën?

Pas 9 vitesh eksperiencë në forum besoj se kam eksperiencën e duhur për të drejtuar FRESSH-in. I njoh strukturat e forumit në gjithë Shqipërinë, jua njoh problemet, kontributet dhe çfarë mund të bëhet më mirë. Kam qetësinë për të marrë vendimet e duhura. Kam energjinë e madhe për të çuar përpara ringritjen e forumit në gjithë Shqipërinë. Dhe e fundit kam pasionin për politikën dhe dashurinë për Shqipërinë të cilat më favorizojnë më shumë se çdo veti tjetër.
 
Cilat janë tre objektivat themelorë ku ju doni ta çoni FRESSH nën drejtimin tuaj?

Nën drejtimin tim FRESSH do të rikthehet në identitet, do të jetë forumi më i fortë, më i madh dhe më cilësor në Shqipëri. Fillimisht FRESSH do të ketë një hapje të madhe, zgjedhje 1 anëtar 1 votë për të gjitha strukturat e saj në të gjithë vendin. Do të mbikëqyr vetë personalisht çdo proces në çdo bashki. E dyta; FRESSH do të jetë forumi i së ardhmes, elementi që do të frymëzojë sërish Partinë Socialiste me ide, iniciativa, projektligje dhe sigurisht me politikanë të rinj. Kemi vite që forumi ynë nuk ka nxjerrë më figura të forta politike dhe unë besoj që me këtë strategji do brumosen politikanë të vërtetë në FRESSH. E treta: Do bëj të mundur që FRESSH  të jetë pjesë aktive e gjithë proceseve që po ndryshojnë Shqipërinë, e reformave. Ne nuk mund të rrimë më në hije duke u fshehur pas Facebook-ut, por do jemi në tryezat ku merren vendimet, ku hartohen projektligjet, dhe aty ku drejtohen punët e Shqipërisë.
 
Nëse fitoni, cilin nga 8 finalistët do të zgjidhnit si krahun tuaj të djathtë, ose do t'i dëshironit fitoren në rast se ju nuk do të renditeni të parët?

Mënyra ime e punës është perëndimore dhe trajtimi i të gjithë finalistëve do të jetë i barabartë. Unë nuk dua të jem ai “shefi” apo “kryetari” i madh, por bashkëpunëtori, mbështetësi dhe miku i të gjithëve. Ne do punojmë të gjithë bashkë për të ringritur FRESSH-in nuk do vazhdojmë më me historitë që kush është shoku im bëhet krahu i djathtë dhe të tjerët lihen mënjanë. Unë i vlerësoj njerëzit në bazë të punës, dhe rëndësinë do ta fitojë secili vetë në bazë të punës që do bëjë. Fitoren ia dëshiroj gjithsecilit që e do këtë forum ashtu siç e dua unë.
 
Ju po bëni fushatë në rrethe në kërkim të votës. Sa ju kushton kjo fushatë dhe kush po e paguan faturën?
Kjo fushatë është e organizuar nga Partia Socialiste, nuk ka shpenzime marramendëse për ne kandidatët. Ne jemi disa të rinj të majtë dhe fushatën e kemi bazuar tek takimet me të rinjtë, të rinj si ne, të thjeshtë. Nuk duhen para në Shqipëri për të takuar të rinj, mjafton transporti, që është siguruar nga PS.
 
Cila është kërkesa juaj e parë për Edi Ramën nëse fitoni garën?
Besim.
 
A do të kërkoni të jeni në listën fituese për deputet i parlamentit të ardhshëm nëse fitoni garën për FRESSH?
Unë përfaqësimin e forumit dhe fitimin e kësaj gare nuk e lidh me të qenit deputet ose jo. Kjo për mua është gjëja e fundit që ka rëndësi në këtë moment. Përfaqësimi në lista qoftë për Deputetë, qoftë në Këshilla Bashkiakë, qoftë në strukturat e PS, do të kërkohet në bazë të kontributit që ne do të japim. Nuk do kërkoj përfaqësim për veten time personalisht, do kërkoj përfaqësim për të gjithë forumin. Ndërkohë jam kundër përcaktimit të përqindjeve nëpër lista, sepse ato shtojnë parazitizmin e strukturave, shtojnë konfliktualitetin për pozicione të ndryshme drejtuese. Përfaqësimin do ta kërkoj në bazë të kontributit dhe punës që do të bëjnë anëtarët e forumit. Ne nuk duhet të kufizohemi në 10 % apo 15 %. Ne mund të meritojmë më shumë, e pse mos të kërkojmë më shumë?
 
Nëse Edi Rama ju kërkon një bilanc të qeverisjes së tij, a do mund t'i rendisnit tre sukseset dhe tre kritikat kryesore?

Tre sukseset kryesore të qeverisjes kanë qenë Reforma në Energji ku të gjithë tashmë paguajnë atë që konsumojnë, ndryshimet dhe modernizimi i Policisë së Shtetit, dhe Reforma Territoriale e cila ishte një domosdoshmëri. Ndërsa përsa i përket kritikave, unë mendoj se janë disa gjëra që duhet të ishin bërë më shpejt ose më mirë. Programi i Rilindjes Urbane duhet të shtrihet edhe në shumë qytete dhe zona të tjera të Shqipërisë për t’i rigjallëruar. Suksesi është i qartë deri tani, u ka dhënë jetë shumë qyteteve dhe provincave ndoshta të harruara nga koha. Do doja që për vitin tjetër të kishte investime më të mëdha në infrastrukturën e turizmit, rrugëve, pastrimit, kanalizimeve të ujërave të zeza etj. Na duhet akoma punë që të afrohemi me vendet e rajonit në këtë aspekt.
 
A mendoni se partia juaj veproi drejt me miratimin e ligjit të mbetjeve?

Unë e di që ka shumë skeptikë në lidhje me këtë ligj. Unë kam qenë një ndër njerëzit që kam dalë në protestë së bashku me miqtë e mi FRESSH-istë kur qeveria Berisha miratoi ligjin për sjelljen e plehrave në Shqipëri. Edi Rama ishte njeriu i cili i tha “JO” ardhjes së Armëve Kimike në Shqipëri, dhe nuk mendoj se do të miratonte një ligj i cili do të ndotë Shqipërinë. Ligji i mbetjeve ka shumë ndryshime nga ligji që u miratua para 2013, dhe mendoj se i përshtatet edhe ligjeve që vende të ndryshme europiane aplikojnë.
 
Skema e pranimit në universitete ishte ndër më të kontestuarat këtë vit. Shumë të rinj ishin të dëshpëruar apo të paqartë. Ju si pjesë e strukturave qeverisëse, por njëkohësisht si përfaqësues i të rinjve, do të kërkoni reflektim nga qeveria për këtë çështje?
Kam takuar në gjithë Shqipërinë të rinj të cilët kanë patur këtë problem këtë vit. Mendoj se ka patur një boshllëk në mënyrën e sqarimit të maturantëve sesi funksiononte këtë vit skema e pranimit në universitete. Si përfaqësues të të rinjve, këtë vit do të këmbëngulim që çdo maturant në Shqipëri të informohet saktë. Do të kërkojmë të zhvillohet një fushatë e gjerë informimi për mënyrën e aplikimit dhe sesi funksionon skema.

kolgega

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Krijoi një nga ‘perandoritë’ më të mëdha të prodhimit të motorëve dhe makinave, vdes në ditën e Krishtlindjes Osamu Suzuki

Krijoi një nga ‘perandoritë’ më të mëdha të prodhimit të motorëve dhe makinave, vdes në ditën e Krishtlindjes Osamu Suzuki