Policia Rrugore ka gjobitur më shumë se 100 shoferë mbrëmjen e së shtunës. Me radare dhe me matës alkooli Drager, policia ka zbuluar drejtuesit e makinave që ecin me shpejtësi dhe ishin të dehur. Mes shoferëve që janë gjobitur, është edhe një I ri që ecte me 102 km në orë tek Bulevardi Zhan Dark. Shpejtësia e lejuar në këtë rrugë është 40 km/orë dhe Policia I ka hequr lejen e drejtimit shoferit.

Polici: Gjoba për tejkalim të shpejtësisë. Kjo është zëvendësuesja e lejes së drejtimit dhe lejes së qarkullimit.

Shoferi: Sa është gjoba?

Polici: Gjoba është 8 mijë lekë të reja. Brenda 10 ditësh do paraqitesh në komision për patentën.

Polici: Tabela 40 km në orë, ti me 102 km.....

Një tjetër shofer i “çmendur” është edhe një 24-vjeçar, i cili pranë Saukut, ecte në kundravajtje. Përveçse ishte burim aksidenti për makinat e tjera, shoferi rezultoi edhe i dehur, çka bëri edhe që të arrestohej. Deri në orët e para të mëngjesit të së dielës, Policia Rrugore ka arrestuar disa shoferë të tjerë që ishin të dehur.

Çdo fundjavë Policia Rrugore vendoset në akset kryesore në Tiranë, duke gjobitur shoferët që ecin me shpejtësi dhe janë të dehur. Uniformat Blu i bëjnë apel drejtuesve të mjeteve, që të ecin me kujdes, ndërkohë që edhe mbrëmjen të së dielës, radarët do të vendosen në disa akse rrugore.

d.c./shqiptarja.com