Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për 40 minuta është zhvilluar me dyer të mbyllura nën drejtimin e kryetarit dhe kryeministrit Edi Rama. Tema kryesore e mbledhjes ka qënë zbritja e deputetëve në bazë për evidentimin e zonave ku duhet të hyjë investitori i huaj dhe debati për çështjen e miratimit të heqjes bonuseve për karburantet e deputetëve, që janë limituar në shifra të vogla, në kuadër të shkurtimit të shpenzimeve për deputetët, ministrat dhe zyrtarët e lartë të pushtetit qëndror dhe vendor.
Mësohet se kryeministri në lidhje me shkurtimin e shpenzimeve për deputetët dhe zyrtarët e lartë ka kërkuar që në seancën plenare të diskutohet fort dhe të evidentohet fakti se këto shkurtime në buxhet janë pjesë e përpjekjes për ringritjen e ekonomisë dhe se shembulli personal do jepet nga ligjvënësit.
Ai ka kërkuar votën pro të të gjithë deputetëve socialistë, duke miratuar në këtë mënyrë dhe qëndrimin politik të grupit në favor të kësaj nisme. Por ka replikuar deputeti Bashkim Fino, njëherësh dhe sekretar për pushtetin vendor në PS, i cili ka thënë se “më mirë të hiqet fare dhe ta dimë se nuk ekziston, se sa të bëhet debat jo për kaq e aq litra karburant. Nëse bëhet më mirë dhe arrihet diçka duke shkurtuar këto shpenzime, le të bëhet”.
Rama është shprehur se shkurtime të tilla janë një ndihmë për buxhetin e shtetit, në kushtet kur arka është lënë bosh nga qeverisja e djathtë. Ky shkurtim shpenzimesh është përfshirë në një projektligj të qeverisë që ka qëllim disiplinimin e shpenzimeve të transportit për një sërë funksionarësh.
Sipas këtij projektligji çdo deputet, pavarësisht largësisë nga zona e tij elektorale, s’do shpenzojë më shumë se 40 mijë lekë në muaj për transportin e tij. Ndërsa funksionarët e tjerë, këtë kufi do ta kenë 20 mijë lekë. Ndërkohë që zv.ministrat do të kenë një kuotë për shpenzime transportit që nuk i kalon të 15 mijë lekët në muaj.
Kreu i qeverisë Rama dje në grup kërkoi nga deputetët që të bëjnë kërkesat për thithjen e investimeve të huaja për zonat elektorale si dhe të përgatisin axhendën e vizitave jashtë vendit për të kontaktuar me homologët e tyre e bizneset në këto vende. Kjo do sjellë jo vetëm investime e zhvillim të komunitetit të tyre, por dhe rritjen e nivelit të punësimit dhe shkëmbimin e përvojës mes komuniteteve respektive.
Kërkesa
Kreu i qeverisë Rama dje në grup kërkoi nga deputetët që të bëjnë kërkesat për thithjen e investimeve të huaja për zonat elektorale si dhe të përgatisin axhendën e vizitave jashtë vendit për të kontaktuar me homologët e tyre e bizneset në këto vende.
Shkrimi u publikua sot (5.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)