
Partia e Lirisë shpjegoi në një reagim për mediat mos-përputhjet e parave të koalicionit mes saj dhe Partisë Demokratike. PL pranoi se ka paguar edhe 80 mijë eurot që thotë PD, por meqë pagesa është bërë në gusht, pas zgjedhjeve, kjo parti nuk e ka deklaruar tek raporti për fushatën, por do ta deklarojë tek raportimi vjetor në KQZ.
“Sqarim publik i Partisë së Lirisë mbi pagesën e detyrimeve financiare në kuadër të koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca Për Shqipërinë Madhështore” dhe përgënjeshtrim për disa të pavërteta të publikuara në "Report TV"
Në zbatim të marrëveshjes së datës 16.04.2025 (Nr. prot. 339), të nënshkruar ndërmjet partive të koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca Për Shqipërinë Madhështore”, Partia e Lirisë është angazhuar të përballojë shumën totale prej 15.000.000 lekësh si kontribut për shpenzimet e përbashkëta të fushatës zgjedhore.
Për shkak të pamundësive financiare gjatë periudhës zgjedhore, pagesa është kryer në dy këste:
7.000.000 lekë të likuiduara më 08.05.2025, përmes Bankës Credins, nga fondet e fushatës zgjedhore, dhe të pasqyruara në raportin financiar të zgjedhjeve.
8.000.000 lekë të likuiduara më 26.08.2025, sipas detyrimit të përcaktuar në marrëveshjen e koalicionit shume e cila eshte marrë nga fondet e vitit te partise dhe e cila raportohet në raportin financiar vjetor të Partisë së Lirisë, ku deklarohet edhe ai zgjedhor, në përputhje me ligjin.
Në raportin vjetor, që përkon me vit zgjedhor raportohen edhe shpenzimet e fushates, të dyja pasqyra të auditueshme me auditues ligjor.
Theksojmë se Partia e Lirisë nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore dhe çdo pretendim tjetër është dashakeq, tendecioz dhe i qëllimshëm, ose shenjë e mosrespektimit të parimeve të një gazetarie të pavarur dhe objektive.
Të gjitha pagesat (fonde me burime të ligjshme) janë realizuar me transfertë bankare dhe janë plotësisht të verifikueshme në sistemin bankar dhe në dokumentacionin zyrtar të koalicionit.
Partia e Lirisë, mbështetëse e palëkundur e lirisë së fjalës, inkurajon të gjithë gazetarët e pavarur t'u qëndrojnë besnik vlerave dhe parimeve profesionale të gazetarisë dhe të ruajnë integritetin e tyre dhe të misionit që kanë, pavarësisht se e ushtrojnë profesionin në kushte shumë të vështira presioni nga një regjim armik i fjalës së lirë”, thuhet në reagimin e Partisë së Lirisë.
Lajmi kryesor:
Kush gënjen për raportin financiar të 11 majit? PL: I dhamë Berishës 70 mijë euro! PD: I morëm 150 mijë euro












