Shpenzimet qeveritare për pagesat e interesave të borxhit publik shënuan nivelin më të ulët të nëntë viteve të fundit, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Gjatë periudhës janar-qershor janë shpenzuar 14.2 miliardë lekë, niveli më i ulët që nga viti 2008. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, interesat ishin 18% më të ulëta.

Në raport me planin e gjashtëmujorit, qeveria kurseu 2.8 miliardë lekë ose 21 milionë euro, të cilat do të mund të përdoren për importin e energjisë pas rishikimit të buxhetit 2017 gjatë muajit shtator.

Ministria e Financave shpjegon se reduktimi i shpenzimeve për interesa i atribuohet efektit të rënies së normave të interesit në tregun e brendshëm, kryesisht gjatë tre viteve paraardhëse për obligacionet dhe gjatë vitit 2016 për bonot e thesarit.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2017, ka vazhduar tendenca e uljes së kostos së borxhit dhe përmirësimit të treguesve të riskut.

Struktura e borxhit ka shfaqur përmirësim, kryesisht në aspektin e reduktimit të ekspozimit të riskut të rifinancimit dhe riskut të normave të interesit. Ndërkohë, risku i kursit të këmbimit pothuajse ka qëndruar në të njëjtat nivele me vitin e kaluar, pasi raporti ndërmjet borxhit në monedhë vendase me atë në valutë mbetet pothuajse i pandryshuar.

Kërkesa e tregut për tituj shtetërorë ka qenë në nivele të larta dhe ka arritur të mbulojë nevojat e Qeverisë për huamarrje, duke çuar në rënie të normave të interesit krahasuar me ato të fundit të vitit 2016.
 
Risku
Ministria e Financave planifikon se, gjatë pjesës së mbetur të vitit 2017, menaxhimi i borxhit do të ketë në fokus reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj risqeve të portofolit të borxhit (kryesisht portofolit të borxhit të brendshëm), si dhe ruajtjen e raporteve të qëndrueshme ndërmjet kostos dhe riskut.
Ndërkohë, do të vazhdojnë të ndërmerren aktivitete të cilat do të synojnë zhvillimin e mëtejshëm të tregut primar dhe nxitjen e aktivitetit të tregut sekondar për titujt shtetërorë.
 
Brenda dhe jashtë
Sipas Financave, huamarrja e brendshme do të vazhdojë të bazohet kryesisht në instrumentet afatgjata me norma interesi fikse, duke shfrytëzuar avantazhin e normave të interesit në nivele ende të ulëta. Ndërkohë, huamarrja e huaj do të mbështetet në disbursimin e kredive për financimin e projekteve, si dhe kredive zhvillimore me terma të buta.

Këto të fundit, përveç të tjerash do të kontribuojnë në uljen e presionit për huamarrje në tregun e brendshëm, si dhe në sigurimin e valutës për shlyerjen e ripagesave, të cilat gjatë vitit 2017 vlerësohen me rreth 7 miliardë lekë rritje krahasuar me 2016. 

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com