SHKODER- Gjykata e Apelit në Shkodër ka vendosur të lirojë të dyshuarin Rudi Beci për akuzën e “Shpërdorim detyre” gjatë kohës kur mbante postin e përgjegjësit të Zyrës së Regjistrimeve në Agjensinë e Legalizimeve në Shkodër. Trupi gjykues i drejtuar nga Fjoralba Prifti dhe gjyqtarët Astrit Kalaja e Luan Dervishi vendosi të ndryshojë vendimin e gjykatës të shkallës së parë dhe hedhjen poshtë të pretendimeve të prokurorisë për lënien të fuqi të vendimit “arrest me burg” pa afat.

Fillimisht gjatë seancës gjyqësore fjalën e mori avokati mbrojtës i Rudi Becit, Astrit Kosteri i cili deklaroi: “Vendimi arrest me burg pa afat nga gjykata e shkallës së parë është i pavlefshëm. Nuk ka as kushtet më thelbësore. Kërkesa e prokurorisë është tërësisht e pabazuar. Nuk janë analizuar aktet nënligjore në fuqi. Nuk na është paraqitur se cilin akt ligjor shkel i dyshuari. Një pretendim është për një leje legalizimi në Shelqet e dhënë për dy objekte në një leje. Ka legalizim kryesor dhe dytësor.

Dytësori është në funksion të kryesorit dhe ligji e lejon që në dy objekte të përfshihen në një leje. Për pallatin në hyrje të Shkodrës se s’ka patur leje ndërtimi apo studimore. Pallati është ndërtuar në vitin 2009. Në vitin 2010 është miratuar plani urbanistik dhe në vitin 2014 ka mbërritur në zyrat e ALUIZNIT. Nuk ka refuzuar drejtësinë sepse është pyetur disa herë shtetasi Rudi Beci nga prokuroria dhe është arrestuar si të kishte vrarë njerëz. Nuk është person i rrezikshëm”.

Debati në gjyq

Gjyqtarja Prifti:“Objekti i ndërtuar a ka qenë i përjashtuar nga leja për legalizim. A jeni njohur me aktet ligjore? A duhej të përjashtohej nga legalizimi”?
I dyshuari Beci: “Nuk kishte asnjë pengesë. Asnjë nga pikat e akteve ligjore nuk janë shkelur sepse kemi qenë 3 përgjegjës dhe në fund ka miratimin e ka dhënë drejtori i institucionit.”

Gjyqtarja Prifti“Ju keni firmosur aktin e kulifikimit”?
I dyshuari Beci: “Në aktin e vetdeklarimit cilësohet se objekti kryesor që është ndërtuar është vetdeklaruar. Sipas ligjit për legalizimet brenda një leje mund të ndërtohen 3 deri në 4 objekte dytësore në funksion të objektit kryesor. Kërkesa e prokurorisë është e pabazuar. Të dhënat merren nga sektorë të tjerë, unë jam përgjegjës vetëm për përmbajtjen e lejes së legalizimit. Pretendimet e prokurorisë nuk ekzistojnë”.

Gjyqtarja Prifti:“A duhej përjashtuar ai objekt”?
I dyshuari Beci:“Jo nuk kishte asnjë pengesë”.

Gjyqtarja Prifti:Në bazë të planit urbanistik nuk lejohej?
I dyshuari Beci:Zona nuk i kishte të kufizuara katet. Plani urbanistik ka ardhur në zyrat e ALUIZNIT në vitin 2014 ku parashikon ndërtimin e objekteve jo më shumë se 5 kate. Sheshi i ndërtimit është miratuar nga kryetari i Bashkisë të asaj kohe që në vitin 2006. Kemi kërkuar informacion dhe është pikërisht e njëjta gjurmë ekzistuese. Asnjë pikë e aktit të kualifikimit nuk është shkelur.

Gjyqtarja Prifti i drejtohet prokuroritCili është akti që ka shkelur i dyshuari?
Prokurori Dragjoshi:Më bazë të vendimit të këshillit rregullues nuk lejohej të ndërtohej. Janë mbi 20 akte që janë shkelur bashkë me ligjet.
Gjyqtarja Prifti:Duhet të jeni më konkret zoti prokuror dhe më konçiz.

I dyshuari Beci:Kam përdorur metodën e krahasimit të drejtpërdrejtë. Zona ku ndodhet pallati për të cilin jam akuzuar është e mbushur me ndërtesa 12-13 katëshe.
Avokati Kosteri:Kërkoj shfuqizimin e vendimit ose një masë sa mëtë lehtë.

Pasi shqyrtoi pretendimet dhe faktet e paraqitura, trupi gjykues vendosi të lirojë Rudi Becin nga akuza e shpërdorimit të detyrës dhe masën e sigurisë “Arrest me burg pa afat”. Ndërkohë që të enjten e kësaj jave do të jetë një tjetër seancë gjyqësore teksa këtë herë para trupit gjykues në gjykatën e aplit të Shkodrës do të dalë ish-drejtori i ALUIZNIT Besnik Kastrati i akuzuar edhe ai për “shpërdorim detyre” duke vijuar që të jetë në dhomat e paraburgimit në Shkodër pas vendimit të gjykatës të shkallës së parë “arrest me burg pa afat”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 




Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)