VLORË- Dy turistë nga Anglia janë arrestuar pasi shpërndanin drogëra të forta në Dhërmi e në Himarë. Në pranga kanë rënë 38 vjeçari, G. S. dhe 28-vjeçari R. B., të dy banues në Londër. Gjatë kontrollit që iu është ushtruar nga policia, iu është gjetur një sasi lëndë narkotike të llojit GHB (Gamma- hydroxybutyrate), të ndarë në 37 doza, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas kishin ardhur si turistë nga Anglia në Dhërmi, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.   

Çfarë është Gamma-hydroxybutyrate, ose GHB

Gamma-hydroxybutyrate, ose GHB, është një ilaç i paligjshëm që ndonjëherë përdoret si 'drogë'. Ajo prodhon ndjenja euforie, si dhe një dëshirë e shtuar për të kryer marrëdhënie seksuale. GHB vepron si një depresant i sistemit nervor dhe paraqet rrezik për varësi. Edhe një rritje e vogël e dozës mund të shkaktojë efekte serioze ose vdekje.