Një i ri i cili merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në Tiranë është arrestuar nga policia, ndërsa në kërkim është shpallur shoku i tij.

Blutë e kryeqytetit thonë se në kuadër të një operacioni antidrogë, u arrestua 22-vjeçari R.M., si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. G., 31 vjeç, të dy banues në Tiranë.

"Nga informacionet e marra dhe veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi D. G. merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit kanabis sativa, në rrugën "Kongresi i Tiranës" dhe në aktivitetin e tij kriminal ndihmohej nga shtetasi R. M", thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 141 doza me lëndë narkotike kanabis sativa. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, në ngarkim të shtetasve R. M. dhe D. G.