Mbretëresha e ketaminës” është dënuar me 15 vite burg për shpërndarjen e drogës që shkaktoi vdekjen e aktorit të serialit “Friends”, Matthew Perry.

Jasveen Sangha fillimisht i mohoi akuzat, por pranoi të ndryshojë deklarimin e saj në një dokument të nënshkruar vitin e kaluar, vetëm pak javë përpara se të dilte në gjyq. Në një deklaratë të dorëzuar para seancës së dënimit, njerka e Perry, Debbie, e përshkroi Sangha si “të pamëshirshme” dhe kërkoi që gjykatësi të jepte dënimin maksimal.

Matthew Perry ndërroi jetë në tetor 2023, në moshën 54-vjeçare. Ai kishte luftuar për vite me varësinë nga droga, por kishte publikuar një autobiografi një vit para vdekjes gjatë një periudhe rehabilitimi.

Ai kishte përdorur ketaminë përmes mjekut të tij si trajtim mjekësor, por jo standard, për depresionin, por në javët para vdekjes kishte filluar të kërkonte më shumë doza në mënyrë të paligjshme. Prokurorët thanë se varësia e tij ishte “jashtë kontrollit” në muajt e fundit.

Pesë persona, përfshirë mjekë dhe asistentin personal të aktorit, kanë pranuar fajësinë për akuza të ndryshme të lidhura me vdekjen e tij. Sangha është personi i tretë që dënohet.

Në dhjetor të vitit të kaluar, mjeku Salvador Plasencia u dënua me dy vjet e gjysmë burg për furnizim të paligjshëm me ketaminë për Perry në javët para vdekjes. Një tjetër mjek, Mark Chavez, u dënua me tetë muaj arrest shtëpie pasi pranoi se i kishte shitur ketaminë Plasencias.

Sangha, e cila ndodhej në paraburgim që nga arrestimi i saj në gusht 2024, pranoi fajësinë në shtator për pesë akuza federale, përfshirë shpërndarjen e ketaminës që çoi në vdekje. Ajo është e vetmja e pandehur që në marrëveshjen e saj pranoi se kishte shkaktuar vdekjen e Perry.

Ajo gjithashtu pranoi se i kishte shitur drogë një 33-vjeçari i cili nuk kishte lidhje me Perry, para se të vdiste nga mbidoza në vitin 2019.

Prokurorët thanë se pasi Sangha mësoi se kishte shitur drogën që shkaktoi vdekjen e Perry-t, “ajo nuk u shqetësua dhe vazhdoi me shitjen”. Sipas tyre, sjellja e saj tregoi “ftohtësi dhe shpërfillje për jetën”, duke zgjedhur paratë mbi njerëzit dhe duke shkaktuar dhimbje të madhe për familjet e viktimave.

Para shpalljes së dënimit, Sangha i tha gjykatësit se "turpi e përndjek" duke pranuar se veprimet e saj “nuk ishin gabime, por vendime të tmerrshme” që “shkatërruan jetët e njerëzve dhe të familjeve të tyre”.

Aktori u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Anxhelos, në jacuzzi. Ai vdiq nga një mbidozë aksidentale e ketaminës, sipas zyrës së mjekut ligjor të qarkut të Los Angelesit.

Prokurorët thanë se Sangha i kishte shitur atij 25 shishe ketamine, përfshirë dozën fatale, për 6,000 dollarë, katër ditë para vdekjes së tij.