Shpërthen bombola në Selenicë/ Shtëpia në flakë, gruaja rëndë në Tiranë, djali: Dje e blemë, mund ta kenë harruar hapur

SELENICË-Një bombol gazi ka shpërthyer mëngjesin e sotëm duke sjellë përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa janë plagosur burrë e grua. Ngjarja ka ndodhur në orën 05:53. Report Tv sjell pamjet nga banesa e dëmtuar e çiftit.

Të plagosurit janë pronarët e banesës 49 vjeçari Rexhep Selimi dhe bashkëshortja e tij 42 vjeçare Mimoza Selimi. Gruaja raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Sipas policisë së Vlorës, nuk ka persona të tjerë të dëmtuar nga shpërthimi, pasi në banesë ishte vetëm çifti dhe zjarri nuk përbën rrezik për banesat e tjera, pasi janë në një distancë të largët. Çifti kishte dy bombola gazi në banesë, njërën 15 litra dhe tjetra 4, ndërsa vetëm njëra raportohet se shpërtheu.

Çifti ka tre fëmijë, të cilët nuk ndodheshin në banesë, pasi dy punonin në Dhërmi dhe tjetri në Greqi. Djali i vogël i familjes tregon për Report Tv si e mori lajmin dhe se nëna e tij dje kishte ndërruar bombolën e vjetër duke marrë një të re, të cilën dyshohet se nuk e kishte montuar mirë duke e lënë hapur dhe si pasojë ka pasur rrjedhje gjatë natës duke sjellë shpërthimin në mëngjes. 

Fqinjët tregojnë momentet e tmerrit që përjetoi çifti, ndërsa gruaja nga shpërthimi i fuqishëm kishte përfunduar në oborr me shumë djegie. Ata thonë se gjendja e çiftit është shumë e vështirë ekonomikisht, prandaj i bëjnë thirrje shtetit që të vendosë dorë.

Grupi hetimor po vijon veprimet e mëtejshme procedurale për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit të bombolës, paraprakisht dyshohet se ka pasur rrjedhje gazi. Kujtojmë që ditën e hënë shpërtheu në Bllok një bombol që përdorej për përpunimin e floririt në ambientin e bodrumit të një argjendarie, ndërsa u plagosën pronarët burrë e grua. Shpërthimi erdhi si pasojë e një pakujdesie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:40
'Shpërthim i paparë, e hodhi gruan në oborr'/ Fqinjët në Selenicë: Burri bërtiste 'o Moza, o Moza'

Një tjetër fqinje , Shemsie Islami tregon momentet e tmerrit të familjes Islami nga shpërthimi i bombolës. Ajo thotë se shpërthimi e hodhi në oborr gruan, ndërsa i burri bërtiste duke thirrur emrin e saj. "Shpërthimi ishte i paparë, dolën jashtë e pamë. Cdo gjë kishte marrë fund, atë e hodhi bombola jashtë në oborr, iu ngjit fustani pas trupit, ia hoqa unë, i ra 5 herë të fikët, e mori ambulanca dhe iku. Janë në gjendje shumë të keqe ekonomike. Nuk kanë bukë. Ishte pa ndeja, bërtiste i shoqi 'O Moza, o Moza'. Fëmijët punonin në Dhërmi për të nxjerr lekët për të rregulluar shtëpinë se flinin jashtë" tha ajo.

Ora 11:39
N/kryetari i bashkisë së Selenicës: Bombola shpërtheu sapo u ndez drita

N/kryetari i bashkisë së Selenicës Neim Veshi  ka shkuar në vendin e ngjarjes pas lajmit të shpërthimit të bombolës së gazit në shtëpinë e çiftit  Selimi. Ai thotë se "Është një shpërthim shumë i fuqishëm, fatmirësisht nuk ka viktima. Të dy kanë shkuar me urgjencë në spital. Burri është me dëmtime të lehta, ndërsa zonja ka dëmtime serioze. Uroj që Zoti ka shërojë sa më shpejt. Kur janë ngritur në mëngjes sapo kanë ndezur dritën ka ndodhur shpërthimi, ka pasur rrjedhje gazi gjatë gjithë natës. Të gjitha dhomat janë dëmtuar" tha ai.

Ora 11:38
Djali i çiftit në Selenicë: Më thanë të shpërtheu bombola në shtëpi, prindërit mund ta kenë harruar hapur

Çifti Selimi në Selenicë ka tre fëmijë, dy punonin në Dhërmi, ndërsa tjetri në Greqi. Djali i fundit i çiftit Muhamet Selimi shprehet se punonte në Dhërmi dhe e ka lajmëruar kushëriri që i ka thënë se të ka plasur bombola në shtëpi. Ai tregon se nëna e tij e kishte blerë dje bombolën dhe dyshon se mund ta ketë harruar hapur duke sjellë shpërthimin. "Më tha kushëriri në orën 01:00 të natës, por nuk e dija nëse ishte për këtë apo tjetër. U nisa dhe erdha në orën 06:00. Më thanë se ka plasur bombola në shtëpi dhe vetëm mami ishte djegur dhe babai vetëm se është plagosur pak. Kishim një bombol të vjetër, atë e hoqëm, mami mori një tjetër të re dhe nga momenti i montimit në darkë mund ta kenë harruar hapur. Ka pasur rrjedhje të gazit" tha Muhamet Selimi.

Ora 11:37
Shpërthimi në Selenicë, fqinjët: Gruaja po bënte gati bukën për në minierë

Report Tv sjell pamjet nga banesa në Selenicë që u dëmtua nga shpërthimi. Fqinjët tregojnë për Report Tv gjendjen e familjes dhe ngjarjen. "Shpërthimi ndodhi në orën 05:30 nga bombola. Ajo ishte ngritur për të bërë bukën gati për në minierë dhe plasi bombola. Banesa është dëmtuar. Edhe fqinjit i ka rënë ballkoni nga shpërthimi.

Ishin vetëm burrë dhe grua, pasi fëmijët, njërin e ka në Greqi dhe dy në Dhërmi. Gruaja ka marrë më shumë dëmtime, ndërsa burri më pak dëmtime. Janë në gjendje ekonomike shumë të rëndë, te buka e gojës. Shteti të verë dorë. Edhe ne do të kontribuojmë" tregojnë fqinjët.  

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen