TIRANE - Ka rezultuar fals alarmi për bombë pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë. Valixhja e vendosur pranë murit rrethues të Ambasadës ka rezultuar bosh pas shpërthimit të kontrolluar nga njësia anti-eksploziv e forcave xhenio.Gazetari Arsen Rusta bën me dije se personi që ka lënë valixhen është fiksuar nga kamerat dhe mësohet se bëhet fjalë për një 28-vjeçar i identifikuar nga policia dhe i shpallur në kërkim. Sipas tij i riu ka lënë qëllimisht valixhen pranë ambasadës për të provokuar një klimë paniku.  

Valixhja ishte vendosur në një rrugicë me qarkullim të kufizuar, ndërsa e gjithë zona monitorohet nga kamera sigurie të Ambasadës Amerikane por edhe bizneseve përreth. Shqiptarja.com ka siguruar video dhe foto nga vendi i ngjarjes si dhe momenti i shpërthimit të kontrolluar. Ekipet anti-eksploziv të xheniove bënë verifikimet e nevojshme dhe më pas testuan valixhen me një sasi lënde plasëse nga ku rezultoi se ishte bosh.

Ngjarja
Një valixhe e dyshimtë krijoi panik te qytetarët e zonës përreth Ambasadës Amerikanë në Tiranë. Valixhja plastike me ngjyrë gri ishte fare pranë murit të Ambasadës, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit. Zona ka edhe prezencë të madhe studentësh por edhe biznesesh dhe nuk përjashtohej që ajo të ishte harruar. Pikërisht një vit më parë një studente harroi valixhen fare pranë hyrjes së Ambasadës në anën lindore të saj.

plasja e valixhes
(Valixhja e vendosur pranë ambasadës së SHBA)
[gallery]24167[/gallery]