Të martën, një burrë hodhi veten në erë jashtë Gjykatës së Lartë të Islamabadit në Pakistan, duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur 21 të tjerë.
Ministri i Brendshëm Mohsin Naqvi e konfirmoi shpërthimin si një sulm terrorist, duke thënë se burri i ishte afruar gjykatës në këmbë, me qëllim që të hynte në ndërtesë, por kur dështoi, ai hodhi veten në erë pranë një furgoni policie.
Sipas televizionit kombëtar, viktimat dhe të plagosurit, ishin kryesisht kalimtarë ose njerëz që ndiqnin seancat gjyqësore. Të lënduarit u dërguan menjëherë në spital. Disa prej tyre në gjendje të rëndë. Sipas burimeve të cituara nga mediat lokale, koka e të dyshuarit për sulm vetëvrasës u gjet gjithashtu në vendin e shpërthimit.
Gjykata u evakuua pas shpërthimit. "Ishte kaos i plotë, të gjithë po vraponin. Pashë dy trupa të vdekur të shtrirë në portë dhe disa makina ishin në flakë", tha avokati Rustam Malik.
Sulme të tilla nuk janë të rralla në Pakistan, ku veprojnë disa grupe të armatosura, por janë të rralla në Islamabad, një qytet relativisht i sigurt për shkak të afërsisë së tij me ndërtesat qeveritare. Gjykata e Lartë ndodhet në një lagje të mbushur me zyra qeveritare.
Asnjë grup terrorist nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi vetëm disa orë pas një shpërthimi që vrau 13 persona në Delhi të Indisë, të cilin autoritetet indiane po e hetojnë si një sulm terrorist. Megjithatë, aktualisht nuk ka informacione që sugjerojnë një lidhje midis dy incidenteve.
Komente










