Një shpërthim me lëndë plasëse (tritol) ka ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se lënda plasëse është vendosur në oborrin e një banese në qendër të qytetit, prapa Bashkisë së Shkodrës, e cila është në pronësi të një 60-vjeçari, shtetasit Metin Bushati.

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Në pallatet që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, janë thyer disa xhama.

Forca të shumta Policie kanë rrethuar vendin e ngjarjes dhe po hetojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pista kryesore e hetimit nga ana e Policisë është një konflikt i mundshëm që mund të jetë përfshirë i vllai i 60-vjeçarit, shtetasi Gëzim Bushati, i cili jeton prej vitesh në Gjermani dhe është me precedent penal.

Njoftimi i Policisë:

Shkodër / Informacion paraprak- Rreth orës 21:30, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, në oborrin e banesës së shtetasit M. B., rreth 60 vjeç, nga persona ende të paidentifikuar është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.