Një shpërthim me dy bomba ka ndodhur në një kishë katolike në Filipine duke vrarë 27 persona dhe duke plagosur mbi 80 të tjerë.

Sipas autoriteteve, bomba e parë shpërtheu në brendësi të katedrales dhe e dyta kishte në shënjestër ushtarët e afërt që nxituan për të ndihmuar të plagosurit.

Në një deklaratë, sekretari i Mbrojtjes dënoi bombardimet dhe tha se i kishte angazhuar forcat ushtarake për të përforcuar sigurinë në vendet e kultit si dhe në hapësirat publike.

Shpërthimi vjen pas referendumit të së hënës, ku shumica myslimane u pyet nëse e mbështet planin për të krijuar rajon të ri autonom.  Shumica e 2.8 milionë njerëzve që morën pjesë në votim mbështetën referendumin, por qyteti i Jolo, ku edhe ka ndodhur shpërthimi, e hodhi poshtë atë.