Një tërmet me magnitudë 7.8 goditi jugun e Filipineve. Lëkundja sizmike u regjistrua rreth dhjetë milje larg bregdetit të ishullit Mindanao, bëri të ditur Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), duke shkaktuar alarm për tsunami nga Qendra e Paralajmërimit për Tsunami në Paqësor.
Sipas paralajmërimeve, mund të priten valë deri në tre metra në brigjet e Filipineve, por edhe në Indonezi, Tajvan dhe Japoni.
Zona më e goditur nga tërmeti është General Santos City, ku sipas një raporti të publikuar pas orës 06:00 me orën italiane, janë regjistruar të paktën 15 viktima dhe mbi 200 të plagosur si pasojë e shembjes së ndërtesave.
“Shumë godina banimi janë goditur nga tërmeti dhe ne jemi të angazhuar në operacionet e shpëtimit”, deklaroi rreshteri i policisë së General Santos, Robert Dagon.
Shqetësimi i mëtejshëm lidhej me rrezikun e një cunami, i cili ndodhi gjatë natës, pas një alarmi të kuq që përfshinte gjithashtu Indonezinë, Japoninë dhe Tajvanin. Megjithatë, valët nuk i kaluan 1 metër e 40 centimetra.
Në fazën e parë, instituti filipinas për monitorimin e tërmeteve dhe tsunameve u rekomandoi banorëve të ishujve dhe zonave bregdetare të evakuoheshin drejt zonave më të larta, duke u zhvendosur në brendësi të territorit.
Me kalimin e orëve, alarmi filloi të zbutet. Indonezia hoqi paralajmërimin vetëm pak orë pasi kishte urdhëruar evakuimin e zonave veriore të kërcënuara nga valët. Sipas Agjencisë së Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës, alarmi për tsunami përfundoi katër orë e gjysmë pas lëshimit të tij.
Agjencia raportoi valë të vogla tsunami në të paktën nëntë zona të Indonezisë, ndërsa më e larta arriti 0.75 metra në ishullin Sangihe.
Megjithatë, bilanci i dëmeve të para mbetet ende për t’u përcaktuar. Autoritetet po vijojnë vlerësimet në ishujt e prekur, veçanërisht në zonën e General Santos, ku dëmet në ndërtesa janë të konsiderueshme./Corriere della Sera
Komente







