Disa depo me lëndë kimikatesh në Hamburg të Gjermanisë u përfshinë nga flakët ditën e sotme duke shkaktuar ndotje të madhe në ambientin përreth për shkak të tymit të zi që mbuloi zonën. Policia ka paralajmëruar njerëzit në Hamburg që të mbyllin dritaret e tyre për shkak të lëndëve kimikate që përmban tymi që mbuloi zonën.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA tha se zjarri shpërtheu rreth orës 4:30 të mëngjesit në lagjen Rothenburgsort, që ndodhet në pjesën lindore të qytetit të dytë më të madh të Gjermanisë.

Tymi  më pas mbuloi një pjesë të qendrës së qytetit, duke ndaluar trenat në distanca të gjata midis Hamburgut dhe Berlinit dhe qyteteve të tjera.

Një alarm për sigurinë publike, i përcjellë përmes një aplikacioni të telefonit celular, i këshilloi njerëzit në Hamburg të mbyllnin dritaret, të fiknin ventilimin dhe ajrin e kondicionuar dhe të shmangnin zonën e  mbuluar nga tymi.

Mediat e huaja nuk raportojnë për të lënduar.

Zjarri përfshiu kontejnerë me sulfur hidrogjeni, një substancë toksike dhe me erë të keqe, duke detyruar zjarrfikësit dhe oficerët e policisë në zonë të mbanin aparate të frymëmarrjes.