ITALI-Një shpërthim i fortë si pasojë e një rrjedhje gazi shkatërroi një ndërtesë dy-katëshe në Saviano në Itali mëngjesin e sotëm. Shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë e një të moshuari në katin e dytë të banesës.
Në katin e parë të saj jetonte një familje me pesë anëtarë, babai, nëna dhe tre fëmijët e vegjël.
Fatkeqësisht si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën një vajzë 4-vjeçare dhe vëllai i saj 6-vjeçar. Babai i tyre është transportuar në gjendje të rëndë për jetën në spitalin Cardarelli bashkë me djalin e vogël 2-vjeçar i cili u nxorr i gjallë nga rrënojat.
Nga ana tjetër policia dhe zjarrfikësit janë duke kërkuar nënën dhe gjyshen e fëmijëve, duke gërmuar nëpër rrënoja me duar.
"Dëgjova shpërthimin dhe dola në rrugë. Çfarë tragjedie, e njoh këtë familje, babai u shpëtua sepse po bëhej gati të shkonte në punë", thotë një fqinj që është gjendur pranë familjes pasi ndodhi shpërthimi.
Në vendngjarje ndodhej edhe prefekti Michele Di Bari me nënkolonelin e karabinierëve Paolo Leoncin. Karabinierët kanë ndërhyrë të parët pasi në zonë ndodhej për fat dhe një patrullë./La Republicca