Bashkia e Sarandës ka reaguar për shpërthimin me tritol në hotel ‘Bizanti’ në qytetin bregdetar që ka shkaktuar dëme të mëdha në banesat dhe bizneset përreth. Bashkia Sarandë thotë se po evidentojnë dëmet e shkaktuara dhe shprehen se gjenden pranë qytetarëve për çdo nevojë që mund të kenë.
“Pas situatës jo të zakonshme, të krijuar mëngjesin e sotëm në një nga bizneset hoteliere në shëtitoren e qytetit të Sarandës, një grup specialistësh të Ndërmarrjes së Shërbimeve, Emergjencave Civile dhe Shërbimit Zjarrfikës, kanë evidentuar dëmet e shkaktuara në hapësirat publike përreth.
Punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Bashki, po punojnë në shëtitoren e qytetit dhe hapësirat publike përreth, për të bërë të mundur eliminimin e pasojave dhe dëmeve në këto hapësira, si dhe normalizimin e situatës. Në të njëjtën kohë, u gjendemi pranë qytetarëve të dëmtuar për çdo nevojë, që mund të kenë, për kapërcimin e kësaj situate.
Inkurajojmë strukturat ligjzbatuese për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Jemi të bindur se kjo ngjarje dhe pasojat e saj, të cilat, për fatin e mirë janë vetëm materiale, do të eliminohen shpejt dhe nuk do të kenë asnjë impakt negativ për qytetin”, thuhet në reagimin e Bashkisë Sarandë.
Lajmi kryesor: