ELBASAN- Mure të shembura, tulla, xhama të thyer dhe orendi te djegura. Fare pak banorë që përpiqen të nxjerrin rrobat, duke i hedhur nga dritaret.

Panorama është e trishtë në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit, ku nga shperthimi i gazit një ditë më parë, ranë muret e pallatit 5-katësh.

Shpërthimi i fuqishëm u mori jetën dy banorëve. 82-vjeçarja Hatixhe Berisha dhe 69-vjeçari Hamit Ibra, pronari i apartamentit ku ndodhi shpërthimi, do të përcillen sot në banesen e fundit.

Por tragjedia nuk përfundon këtu. 15 familje kanë mbetur pa strehë, pasi godina tashmë ështe e pabanueshme dhe pritet të shembet plotësisht.

“Ky është një objekt i ndërtuar në vitet ’70. Dëmtimet që kanë pësuar kanë qenë të forta nga gazi dhe zjarri. Ne kemi konstatuar se objekti është i pabanueshëm. Duhet të merren masa sa më shpejta për t’u demoluar”, tha Persida Shkrepa, drejtoreshë e institutit të ndërtimit.

Banorët janë strehuar përkohësisht në konviktet e studenteve, ndërsa bashkia e Elbasanit premton dëmshpërblim.

“Një pjesë e madhe e banorëve kanë dalë nga banesat vetëm me rrobat e trupit. Disa kanë qëndruar te të afërmit, ndërsa të tjerë janë akomoduar në konvikt. Do të vijojmë t’i strehojmë deri në përfundimin e procedurave ligjore. Menjëherë pas përfundimit të raporteve,  Bashkia do të marrë masat sipas parashikimeve të ligjit për emergjencat civile”, tha kryebashkiaku Gledian Llatja.

Kjo është bombola e gazit 15 litershe, që ishte vendosur në katin e pare të pallatit, ndërsa gazi përcillej përmes një tubacioni deri në apartamentin në katin e tretë, aty ku ndodhi shpërthimi dhe zjarri.

Ky instalim, i bere jashte cdo lloj rregulli, dyshohet se shkaktoi tragjedine.

Nga hetimet rezulton se ka pasur rrjedhje te gazit brenda apartamentit tee 69-vjecarit, Hamid Ibra.  Dyshohet ai ka ka tentuar te ndeze soben e gatimit kur ka ndodhur shperthimi, si pasoje e grumbullimit te madh te gazit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:05
Shpërthimi tragjik në Elbasan, dyshohet se gazi rrodhi nga tubat e bombolës në katin e parë! (VIDEO)

 

Sipas hetimeve paraprake, shpërthimi tragjik në pallatin 5-katësh në Elbasan dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja e gazit në tubat që lidhnin një bombol 15-litërshe, të vendosur në katin e parë, me apartamentin e 69-vjeçarit Hamit Ibro në katin e tretë.

Dyshohet se gazi ka rrjedhur përmes tubacioneve dhe është grumbulluar brenda banesës, ndërsa shpërthimi i fuqishëm, i shoqëruar me flakë, ka ndodhur në momentin kur 69-vjeçari ka tentuar të ndezë sobën. Në atë moment, Hamit Ibra ndodhej i vetëm në apartament. Ai humbi jetën si pasojë e shpërthimit.

Ora 13:41
Elbasan/ Një ditë pas shpërthimit tragjik, vijon puna në pallatin e shkatërruar! Rrobat dhe sendet personale të banorëve nxirren me vinç (VIDEO)

 

Një ditë pas shpërthimit tragjik në pallatin 5-katësh në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe u lënduan 10 të tjerë, në vendngjarje vijon puna për të ndihmuar banorët të marrin sendet e tyre personale nga apartamentet e dëmtuara.

Forcat e pranishme po përdorin edhe vinça për të nxjerrë nga banesat rroba dhe sende të tjera personale. Nga ambientet e pallatit po largohen veshje që kanë shpëtuar pa u djegur apo dëmtuar nga zjarri dhe shpërthimi.

Ora 11:40
Elbasan/ Kryebashkiaku Llatja: Shpërthimi ishte shumë i fortë dhe ka shkaktuar dëmtime të mëdha strukturore të godinës (VIDEO)

 

Kryebashkiaku Gledian Llatja gjatë një prononcimi për mediat sot në lidhje me shpërthimin në pallatin në Elbasan tha se banorët që nuk kanë mundësi të qëndrojnë te të afërmit janë akomoduar në konviktin e qytetit, ku u janë siguruar edhe ushqimet. Sipas tij, Bashkia do të vijojë t’u garantojë strehim deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe marrjen e masave sipas ligjit për emergjencat civile.

Gjatë ditës së djeshme është punuar në terren nga forcat e Emergjencave Civile, fillimisht për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit, e më pas për menaxhimin e situatës. U bë e mundur nxjerrja e trupave të dy personave nga godina e dëmtuar. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe ka shkaktuar dëmtime të theksuara strukturore. Për këtë arsye, na është dashur ndërhyrja sot e strukturave të Institutit të Ndërtimit për të kryer një ekspertizë më të specializuar. Gjatë natës së kaluar, grupi i kërkim-shpëtimit ndërhyri për nxjerrjen dhe evidentimin e trupit të të ndjerit. Aktualisht, situata paraqitet ende problematike nga pikëpamja strukturore, me rrezik për shembjen e katit të pestë, gjë që mund të shkaktojë dëmtime të mëtejshme në strukturat ngjitur apo edhe në vetë pallatin. I gjithë objekti nuk është ende i sigurt për strehimin e banorëve apo për të lejuar lëvizje të shumta brenda tij.

Që mbrëmjen e kaluar janë marrë masa për akomodimin e të gjithë personave që nuk kishin mundësi të strehoheshin. Ata janë sistemuar në konviktin e qytetit të Elbasanit, ku u janë siguruar edhe ushqimet përkatëse. Një pjesë e madhe e banorëve kanë dalë nga banesat vetëm me rrobat e trupit. Disa prej tyre kanë qëndruar te të afërmit, ndërsa të tjerë janë akomoduar në strukturat tona të strehimit. Do të vijojmë t’i strehojmë në ambientet e Bashkisë së Elbasanit deri në përfundimin e procedurave ligjore. Menjëherë pas përfundimit të raporteve përkatëse nga strukturat ligjore, Bashkia e Elbasanit do të marrë masat sipas parashikimeve të ligjit për emergjencat civile”, tha ai.

Për punën e shërbimit zjarrfikës, Llatja tha se zjarrfikësja e Elbasanit ka qenë dhe mbetet një nga shërbimet zjarrfikëse më të pajisura në Shqipëri.

“Zjarrfikësja e Elbasanit ka qenë dhe mbetet një nga shërbimet zjarrfikëse më të pajisura në Shqipëri. Ne e kemi pajisur me mjete të reja, përfshirë shkallën përkatëse, autoshkallën zjarrfikëse, si dhe koshin që vjen në ndihmë të Emergjencave Civile. Pajisjet janë të gjitha të reja. Dy automjetet kanë qenë plotësisht funksionale dhe profesionale. Edhe katër mjetet e tjera që struktura jonë ka pasur në dispozicion janë brenda të gjithë parametrave dhe në funksion të plotë. Është e vërtetë që në rrjetet sociale ka pasur një deklaratë lidhur me kushtet e zjarrfikëses së Elbasanit, por ajo i plotëson të gjitha parametrat. Momentet e ndërhyrjes në zjarr nga strukturat përkatëse, pra nga zjarrfikësi, personeli që drejton procesin e shuarjes së zjarrit dhe personi që komandon pompën e automjetit zjarrfikës, janë dy procese të ndryshme. Në momentin që zjarrfikësi njofton se është pozicionuar për të luftuar zjarrin, jep sinjalin për hapjen e ujit dhe vendosjen e presionit të përcaktuar nga sistemi i pompës. Kjo është e domosdoshme, pasi në të kundërt mund të rrezikohet edhe vetë zjarrfikësi nga presioni i ujit në sistemin e fikjes së zjarrit” shtoi ai.

Ora 11:29
Mbeti viktimë e shpërthimit në pallatin në Elbasan, Report Tv siguron foton e 69-vjeçarit

1793874283_hamitibro.jpg

Report Tv ka siguruar foton e 69-vjeçarit Hamit Ibro, që ndërroi jetë pas shpërthimit në pallatin në Elbasan.

Trupi i pajetë i tij u gjet mëngjesin e sotëm nën rrënoja pas disa orë kërkimesh.

Ora 11:23
Shpërthimi në pallatin në Elbasan, drejtoresha e institutit të ndërtimit: Godina e pabanueshme, do të shembet (VIDEO)

 

Persida Shkrepa drejtoresha e institutit të ndërtimit, tha pallati 5 katësh ku ndodhi shpërthimi në Elbasan do të shembet.

“ Ky është një objekt i ndërtuar në vitet ‘70. Dëmtimet që kanë pësuar kanë qenë të forta nga gazi dhe zjarri. Ne kemi konstatuar se objekti është i pabanueshëm. Duhet të merren masa sa më shpejta për t’u demoluar.

Duhet të merren masa që edhe banorët që do të duhet të hyjnë në objekt, në seksionin e parë ku nuk ka pasur goditje. Seksioni i dytë është i pabanueshëm dhe i paaksesueshëm nga asnjë banor. Do duhet që të bëhen të shoqëruar me forcat zjarrfikëse.

Masa e dytë që duhet marrë, në një rreze prej 30 metrash, do të duhet që të sigurohen edhe objektet që janë përreth”, tha Persida Shkrepa drejtoresha e institutit të ndërtimit.

Ora 10:51
Shpërthimi në Elbasan, ekspertët e Institutit të Ndërtimit nisin vlerësimin për strukturën e pallatit (VIDEO)

 

Një ditë pas shpërthimit të fuqishëm në pallatin pesëkatësh në Elbasan që u mori jetën dy banorëve, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e Institutit të Ndërtimit për të kryer vlerësimin teknik të godinës.

Specialistët do të inspektojnë strukturën e pallatit për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve dhe nivelin e qëndrueshmërisë së tij.

Ora 10:02
Shpërthimi i fuqishëm ne pallatin në Elbasan që shkaktoi 2 viktima, Policia: Shkak rrjedhja e gazit në banesën e 69-vjeçarit

Policia e Elbasanit thotë se shkak i shpërthimit të fuqishëm në pallatin në Elbasan, që shkaktoi 2 viktima, është bërë rrjedhja e gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro. Ky i fundit u gjet mes rrënojash pas orësh kërkime. Policia thotë se rrjedhja e gazit ka qenë shkak edhe për shpërthimin e fuqishëm në pallat, që shembi totalisht 2 kate të pallatit dhe e bëri atë të pabanueshëm. 10 persona u lënduan dhe shkuan në spital, ndërsa përveç pronarit të banesës, humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.

“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim”, njofton Policia.

Ora 09:20
Mure të shembura dhe dritare të thyera, çfarë ka mbetur në pallatin 5 katësh në Elbasan pas shpërthimit të fuqishëm (VIDEO)

 

Mure të shembura, tulla, beton dhe xhama të thyer, kjo është panorama e pallatit pesëkatësh në Elbasan një ditë pas shpërthimit të fuqishëm.

Lagjja ku ndodhi ngjarja e rëndë është kapluar nga heshtja, teksa në zonë ndodhet shërbimi zjarrfikës dhe uniformat blu.

Nga pamjet që Report Tv sjell mëngjesin e sotëm në mesin e rrënojave shihen edhe orendi dhe objekte të djegura si pasojë e zjarrit që u përhap me shpejtësi në gjysmën e godinës.

Ora 07:53
Shpërthimi në Elbasan, kryebashkiaku Llatja: Një pjesë e godinës e pabanuar, priten verifikime për strukturën e pallatit (VIDEO)

 

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja ka dhënë detaje pas mesnate mbi situatën në apartamentin e përfshirë nga zjarri në Elbasan ku një pjesë e godinës pësoi dëmtime të rënda strukturore. 

Llatja tha se një pjesë e banorëve janë strehuar te të afërmit dhe të tjerët në konviktet e studentëve në Elbasan.

Për vlerësimin e dëmeve dhe sigurinë e godinës pritet edhe ndërhyrja e specialistëve të Institutit të Ndërtimit.

“Zjarri është fikur. Aktualisht, të gjitha familjet janë evakuuar dhe nuk ka asnjë familje në pallat. Pjesa më e madhe e banorëve janë strehuar te të afërmit, ndërsa pjesa tjetër në konviktet e studentëve në Elbasan.

Pritet që në terren të mbërrijnë edhe strukturat e Institutit të Ndërtimit për të verifikuar gjendjen e strukturës së pallatit në tërësi. Sipas vlerësimeve paraprake të inxhinierëve, njëri prej sektorëve është bërë i pabanueshëm, por problematika strukturore janë konstatuar edhe në pjesën tjetër të pallatit.”- u shpreh Llatja.

 

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
3.0 / 5 (2 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 3 Nëntor, 11:50

    Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?