
Jeton Lami
Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika, janë personat e arrestuar si autorë të tritolit të vendosur ditën e djeshme në një restorant në Kamëz.
Ish-oficeri i forcave Operacionale, Jeton Lami u lirua nga qelia më 24 nëntor të vitit 2023 pasi u dënua me 2 vite e 10 muaj burgim i akuzuar për ‘shpërdorim detyre’. Pjesën më të madhe të dënimin e kaloi në paraburgim. Lami është personi i fundit, i cili ka takuar Ervis Martinajn teksa e ka shoqëruar me makinë në Durrës, para se ‘mbreti i lojërave të fatit’ të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë.
Jeton Lami i ka mohuar kategorikisht akuzat për lidhje të tij me zhdukjen e Ervis Martinajt në gusht të vitit 2022, para hetuesve. Sipas tij, me ish bosin e lojërave të fatit është njohur 10 vite më parë, por e mohon miqësinë e ngushtë. Sa i përket rastit kur ai është kapur teksa shoqëronte Ervis Martinajn, Lami dëshmoi se është takuar me Ervis Martinajn rastësisht në zonën e ‘Zogut të Zi’ në Tiranë tre ditë para se ta shoqëronte për në Durrës. Vetë Martinaj i ka kërkuar ta shoqëronte dhe Lami e ka dërguar në Durrës ku e ka lënë në një hotel me një mikeshën e tij. Ndërkohë që një ditë më vonë ka shkuar në Durrës, e ka marrë Ervis Martinajn dhe mikeshën e tij dhe i ka lënë në një ambient pranë një karburanti në zonën e Vorës dhe që nga ky moment nuk ka pasur më kontakte me të.
Lami u kap nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës, ku ka qenë i shoqëruar me Ervis Martinajn. Për herë të parë hetuesit kanë mundur të zbulojnë se më 5 Gusht 2022 Lami e merr Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e transporton atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.
Ndërkohë në kërkim për ngjarjen në Kamëz është shpallur Ervis Lami. 31-vjeçari Lami është person me rekorde të theksuara kriminale. Ai shpall në kërkim në janar të këtij viti, pasi iu gjet automatiku me selenciator në banesë gjatë kontrolleve për kapjen e autorëve të vrasjes së Lulzim Vishës. Ky i fundit punonte si postier dhe u qëllua për vdekje më 24 janar të këtij viti në Kamëz teksa ndodhej brenda në automjetin e kompanisë ku ishte i punësuar.
Lajmi kryesor:
Tritoli në Kamëz/ Gjobë 500 mijë € pronarit, goditet grupi! 3 në pranga, mes tyre ish-efektivi që shoqëroi Martinajn! Në kërkim Ervis Lami










