Instituti i Ndërtimit ka ngritur alarmin për sigurinë e pallatit të dëmtuar nga shpërthimi i një bombole gazi në Elbasan.

Në raportin paraprak thuhet se përdorimi i objektit ndalohet dhe se banorët duhet të qëndrojnë 20–30 metra larg ndërtesës. Shqetësimi kryesor lidhet me soletën e katit të pestë, e cila rrezikon të shembet nga çasti në çast.

Shpërthimi ndodhi në apartamentin e Hamit Ibrës, duke i marrë jetën atij dhe fqinjës së tij të moshuar, Hatixhe Berishës.

Pas tragjedisë, 15 familje janë strehuar në konvikte, ndërsa bashkia ka premtuar dëmshpërblim.

Instituti i Ndërtimit pritet të vendosë për shembjen e kontrolluar të objektit pasi të përfundojë studimi i plotë.

Raporti nënvizon gjithashtu se mbetjet e zjarrit duhet të largohen vetëm pasi të jetë vlerësuar siguria e ndërhyrjes dhe të jenë marrë masat e nevojshme mbrojtëse.

Bazuar në inspektimin vizual të kryer në terren dhe në konstatimet paraprake të grupit të punës, arrihet në përfundimet e mëposhtme:

1. Objekti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme si pasojë e shpërthimit dhe zjarrit, të cilat kanë prekur elemente konstruktive dhe jokonstruktive të ndërtesës.

Instituti i Ndërtimit. Rruga "Myslym Keta", Brar Tufinë, Tiranë,

2. Soleta e katit të 5, mbi zonën ku ka ndodhur shpërthimi rrezikon shembjen nga momenti në moment.

3. Gjendja e konstatuar paraqet rrezik potencial për sigurinë e banorëve dhe të personave që mund të qëndrojnë brenda ose pranë objektit.

4. Rekomandohet përcaktimi dhe zbatimi i një perimetri sigurie 20m-30m, si dhe marrja e masave të nevojshme për shmangien e rënies së elementeve të dëmtuara.

5. Për realizimin e investigimeve të mëtejshme, është i nevojshëm largimi i kontrolluar i mbetjeve të dëmtuara nga zjarri, vetëm pas vlerësimit të sigurisë së ndërhyrjes dhe marrjes së masave të nevojshme mbrojtëse.

6. Pas krijimit të kushteve të sigurta për akses, rekomandohet kryerja e akt-ekspertizës së thelluar, e cila duhet të përfshijë investigimet konstruktive, testimet laboratorike të materialeve dhe analizat përkatëse për vlerësimin e aftësisë mbajtëse dhe qëndrueshmërisë së objektit.

Për realizimin e akt-ekspertizës së thelluar, është i nevojshëm sigurimi i dokumentacionit teknik të objektit, përfshirë dokumentacionin gjeometrik, studimin gjeologjik dhe sizmik, nëse disponohen, si dhe kryerja e investigimeve dhe provave laboratorike përkatëse, sipas kushteve të sigurisë në terren.

Deri në përfundimin e akt-ekspertizës së thelluar dhe përcaktimin e nivelit të sigurisë konstruktive të objektit, rekomandohet ndalimi i përdorimit të godinës dhe kufizimi aksesit në të, si dhe marrja e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së banorëve dhe personave përreth, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse" thuhet në raport.

Në raport janë publikuar edhe fotot e apartamenteve të shkatërruara. Siç shihet edhe nga fotot e publikuara, përveç mureve të shkatërruara shihen edhe objektet e djegura dhe ato që i kanë 'shpëtuar' flakëve.

Kur ndodhi shpërthimi

Shpërthimi i fuqishëm si pasojë e gazit ndodhi të mërkurën (4 nëntor) rreth orës 14:00. Si pasojë viktimë mbetën 2 persona, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha dhe 69-vjeçari Hamit Ibra, pronari i apartamentit ku ndodhi shpërthimi.

Bombola e gazit 15 litërshe ishte vendosur në katin e parë të pallatit, ndërsa gazi përcillej përmes një tubacioni deri në apartamentin në katin e tretë, aty ku ndodhi shpërthimi dhe zjarri. Ky instalim, i bërë jashtë çdo lloj rregulli, dyshohet se shkaktoi tragjedinë.

Nga hetimet rezulton se ka pasur rrjedhje te gazit brenda apartamentit të 69-vjecarit, Hamit Ibra.  Dyshohet ai ka ka tentuar të ndezë sobën e gatimit kur ka ndodhur shpërthimi, si pasojë e grumbullimit të madh të gazit.

 

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë