Një shpërthim ndodhi ditën e djeshme në pikën e karburantit “AN Oil”, në rrugën “Skënderbeu” në Sarandë. Nga ngjarja u plagosën dy punonjës, të cilët u transportuan në urgjencën e spitalit të Sarandës. 

Fatmir Pema, 39 vjeç, pësoi djegie në trup. Gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë ndaj u transportua me helikopter drejt Tiranës, për të marrë trajtim të specializuar. Punonjësi tjetër, Florian Bica, 27 vjeç, u dërgua në spital për shkak të tronditjes së shkaktuar nga shpërthimi. 

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, njëri prej punonjësve, Fatmir Pema, po punonte me gur fleksibël pranë kapakut të njërës prej depozitave. Dyshohet se shpërthimi u shkaktua nga avujt dhe mbetjet e karburantit në depozitë. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe zjarrfikëse.  

Pas ngjarjes reagoi edhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), i cili bëri të ditur se pika kishte qenë jashtë funksionit prej rreth tre muajsh dhe ndodhej në proces rihapjeje. Sipas verifikimeve paraprake të inspektorëve, në momentin e shpërthimit në objekt nuk kishte depozita gazi apo karburanti.

ISHTI njoftoi se po vijon mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave në bashkëpunim me strukturat përkatëse, për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes. Institucioni bëri me dije se, në këtë fazë të verifikimeve, nuk rezulton përgjegjësi që mund t’i atribuohet atij për shpërthimin.