Pas 2 ditësh në luftë për jetën, ka ndërruar jetë edhe shqiptari i dytë i plagosur nga shpërthimi në rafinerinë e naftës “Motor Oil” në Greqi. Dorian Hysa, 50 vjeç, emri dhe foto e të cilit raportohet nga Top Channel, nuk u mbijetoi dëmtimeve të rënda në kokë. Aksidenti i 9 tetorit i kishte marrë jetën edhe kolegut të tij 43-vjeçar.

Sipas mediave greke, Hysa ndërroi jetë pak para orës 13:00 të së dielës në spitalin “Thriasio” të Elefsinës, ku ndodhej i intubuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.

Ndërkohë, hetimet për aksidentin janë shoqëruar me tri arrestime të tjera, duke e çuar në katër numrin e personave të arrestuar. Përveç kontraktorit 59-vjeçar të ekipit të jashtëm, në pranga kanë rënë një përgjegjës punimesh 36-vjeçar, drejtuesi 50-vjeçar i departamentit të Shëndetit dhe Sigurisë dhe një operator i projektit, 34 vjeç. 

Autoritetet greke po hetojnë nëse ishin respektuar masat e sigurisë gjatë punimeve të mirëmbajtjes në rafinerinë në Agioi Theodoroi, pranë Korinthit.

Shpërthimi ndodhi paraditen e së premtes, 9 tetor, në rafinerinë e naftës “Motor Oil” në Agioi Theodoroi, pranë Korinthit. Dy punëtorët shqiptarë, 43 dhe 50 vjeç, po kryenin punime mirëmbajtjeje si pjesë e një kompanie të jashtme kontraktore.

Gjatë ndërhyrjes në shkëmbyesit e nxehtësisë të njësisë U-607, një kapak metalik shpërtheu nga çlirimi i gazit nën presion, pa pasur ndezje apo zjarr. Të dy shqiptarët pësuan dëmtime të rënda, kryesisht në kokë, ndërsa një punëtor i tretë u lëndua lehtë dhe shfaqi probleme me frymëmarrjen.

Të plagosurit u transportuan fillimisht në spitalin e Korinthit dhe më pas në “Thriasio” të Elefsinës. 43-vjeçari ndërroi jetë po atë ditë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve. Kolegu i tij 50-vjeçar, Dorian Hysa, mbeti i intubuar në terapi intensive deri më sot, kur humbi jetën edhe ai.