Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e deputetit demokrat Edi Paloka për shfuqizimin e dënimit tij me 200 mijë lekë, dënim ky i dhënë 18 muaj më parë ndaj Palokës pasi ky i fundit u gjet fajtor për shpifje ndaj Kryeministrit Edi Rama.

Më 5 Qershor 2015 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi të dënojë Palokën pasi sipas vlerësimit të gjykatës ai kish kryer shpifje ndaj Ramës dhe gjoba prej 200 mijë lekë duhet të paguhej brenda afatit 1 vjeçar.

Kreu i grupit parlamentar demokrat apeloi vendimin në kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e dënimit me gjobë.
Kushtetuesja më 12 Korrik 2016 ka vendosur të rrëzoj kërkesën e Palokës duke lënë në fuqi dënimin ndërsa ky vendim i saj është publikuar vetëm pak ditë më parë.

Deklarata e bërë më 7 Janar 2015 nga selia e partisë demokratike ku Paloka akuzonte Ramën për lidhje me krimin sipas procesit gjyqësorë u vlerësua si shpifje.

Në të njëjtën vlerë gjobe kolegji penal i Gjykatës së Lartë dënoi dhe Arben Ristanin pasi deklaratat e tij u vlerësuan shpifje ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, ndërsa ky i fundit nuk ju drejtua kushtetueses me apel por ende nuk dihet nëse ka paguar apo jo gjobën.

Zbardhja e vendimi nga Gjykata Kushtetuese që lë në fuqi dënimin ndaj Palokës i hap rrugë dhe një tjetër procesi gjyqësorë të pezulluar prej muajsh, bëhet fjalë për padinë e Saimir Tahirit ndaj Edi Paloka. 

Ky gjykim është pezulluar në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë dhe me rrëzimin e kërkesës së Palokës në kushtetuese ky gjykim do të rinis më 19 dhjetor 2016.