Shpifja, Shoqatat e gazetarëve: Të
specifikohet që nuk vlen për median

Shpifja, Shoqatat e gazetarëve: Të<br />specifikohet që nuk vlen për median
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, Rrjeti Investigativ Birn dhe AIS / Open Data Albania deklarojnë se propozimi i kryeministrit për kriminalizimin e shpifjes është një kërcënim serioz ndaj punës së përditshme të gazetarëve. Për këtë ata kërkojnë që propozimi të qartësohet specifikisht se nuk ka të bëjë me median.

 “Kërkojmë që të na mbështesni në këtë shqetësim tonin publik, duke përdorur gjithë ndikimin tuaj që ky propozim i kryeministrit të qartësohet duke specifikuar, se nuk vlen për median. Edhe pa një nen të tillë, progres raporti i fundit i BE-së dhe Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit vendore kanë sjellë raste të censurës e kërcënimit të medias në Shqipëri. Një nen i tillë, në formën e paraqitur nga kryeministri është një kërcënim serioz në punën tonë të përditshme si gazetarë,” thuhet në kërkesën e shoqatave të gazetarëve.
 
 Kërkesë për mbështetje për lirinë e medias në Shqipëri

 
Në vëmendje të organizatave ndërkombëtare.
 
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, Rrjeti Investigativ Birn. AIS / Open Data Albania
 
Jemi thellësisht të shqetësuar nga propozimi i kryeministrit për të shtuar një nen në Kodin Penal që kriminalizon shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë.
Propozimi i Kryeministrit është përgjithësues: “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”
 
Jemi thellësisht të shqetësuar sepse ky nen mund të përdoret kundër mediave që në punën e tyre, denoncojnë raste të abuzimit të funksionarëve publikë me detyrën.
 
Ky është një kthim pas në drejtim të lirisë së shprehjes, pasi shpifja dhe fyerja si vepër penale janë hequr nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në shkurt të 2012, me dakordësinë e mazhorancës e opozitës së asaj kohe, pas një presioni disavjecar të shoqatave të mediave dhe të organizatave ndërkombëtare.      
 
Dekriminalizimi i shpifjes u përshëndet nga Këshilli i Europës, Bashkimi Europian dhe organizatat e medias, si konfirmim i të drejtës së lirisë së shprehjes që garantohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 22), në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (neni 19), e në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (Neni 10).
 
Nisur nga reagimi i gjerë kundërshtues i mediave në vend, kryeministri bëri një sqarim publik se neni në fjalë nuk ishte për mediat, por përsa kohë kjo gjë nuk specifikohet në propozimin e qeverisë, mediat kanë të drejtë të shqetësohen seriozisht nga kjo iniciativë personale e kryeministrit të vendit. Ky propozim i kryeministrit u bë pa transparencë, pa u publikuar në faqen zyrtare të këshillit të ministrave, pa u diskutuar me asnjë grup interesi, por i është përcjellë direkt për shqyrtim Parlamentit të Shqipërisë
 
Kërkojmë që të na mbështesni në këtë shqetësim tonin publik, duke përdorur gjithë ndikimin tuaj që ky propozim i kryeministrit të qartësohet duke specifikuar, se nuk vlen për median. Edhe pa një nen të tillë, progres raporti i fundit i BE-së dhe Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit vendore kanë sjellë raste të censurës e kërcënimit të medias në Shqipëri. Një nen i tillë, në formën e paraqitur nga kryeministri është një kërcënim serioz në punën tonë të përditshme si gazetarë.
 
 
Aleksandër Cipa, Unioni I Gazetarëve Shqiptarë
Armand Shkullaku, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
Ylli Rakipi, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Gjergj Erebara, Birn Albania
Aranita Brahaj organizata AIS / Open Data Albania
Tiranë, më 12 Nëntor 2015


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë