Shpifjet, Rama në gjykatë pa
Palokën: Sill provat, s'ka pajtim

Shpifjet, Rama në gjykatë pa<br />Palokën: Sill provat, s'ka pajtim
TIRANE - Kryeministri Edi Rama zhvilloi “betejën” e parë gjyqësore me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka, përballë akuzave që ky i fundit i ka bërë për lidhje me krimin. Kreu i qeverisë ishte i pranishëm në këtë seancë të parë të mbajtur në Gjykatën e Lartë, ndërsa deputeti Paloka zgjodhi të përfaqësohej nga avokati Ivi Kaso.
 
Duke kërkuar nga trupa gjyqësore të jetë e paanshme në këtë proces, Rama nuk pranoi kërkesën e gjykatës për pajtim me demokratin Paloka. “Nuk ka asgjë për tu pajtuar, pasi nuk është personale”, tha kryeministri Rama për mediat në përfundim të seancës e cila zgjati vetëm 15 minuta. Duke premtuar se do të jetë i pranishëm në çdo seancë, shefi i mazhorancës tha se çështja duhet të shkojë deri në fund, pasi publiku duhet të mësojë të vërtetën. I pyetur për mbrojtjen që ka përgatitur në këtë proces, Rama tha se i takon Palokës, në cilësinë e akuzuesit që të sjellë provat.
 
“Është koha t’i jepet fund politikës së shantazhit, politikës së baltës, të denigrimit, talljes së përditshme me opinionin publik. Është koha që gjykatat të marrin rolin e arbitrit të paanshëm dhe të pavarur për t’i shërbyer opinionit publik me shërbimin përballë çdo akuze”, tha kryeministri Rama.
 
Sakaq përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Ivi Kaso tha se provat do të paraqiten në momentin e duhur.

Rama kallëzoi penalisht Edi Palokën në muajin janar të këtij viti, duke e akuzuar për shpifje. Kreu i grupit parlamentar artikuloi akuza publike ndaj kreut të qeverisë për lidhje me krimin, e vecanërisht me Emiljano Shullazin, një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare. Pritet që seanca e radhës ndërmjet kreut të qeverisë dhe kryetarit të grupit të parlamentar të PD-së të mbahet më 9 mars ora 11:00.

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron