Juventus rrezikon deri në 60 milionë euro gjobë për shkak të Cristiano Ronaldos. Mund të duket e çuditshme por CR7 vijon të jetë temë diskutimi te bardhezinjtë edhe pas dy sezoneve që portugezi është larguar nga Italia. Gjithçka lidhet me një kontratë të përpiluar nga Juventus dhe Ronaldo dhe të pa depozituar në organet përkatëse. Në marrëveshje thuhej se nëse klubi i shkëpuste kontratën lojtarit, i detyrohej 19.9 milionë euro.
Gjithçka doli në dritë pas hetimeve të Prokurorisë në Torino, në lidhje me plusvalencat e ekipeve të Serie A. "Kontrata e Ronaldo", kështu e ka quajtur La Republica në Itali marrëveshjen që duket se ka qenë specifike vetëm për CR7. Për shkak të një kontrate jo të zakonshme dhe të padepozituar në Lega, Zonja rrezikon nga 20 deri në 60 milionë euro gjobë. Pas kontrollit të bilanceve, Prokuroria dyshon për një kontratë jo të ligjshme me portugezin.