Çmimi i parë në historinë e futbolit, BOAT, është fituar nga Cristiano Ronaldo. Ballon d’Or of All Time, njëjtë si ‘Topi i Artë’ të hënën, u organizua nga revista franceze ‘France Football’, ndërsa tifozët zgjodhën sezonin 2007–2008 të portugezit me Manchester United si sezonin më të madh mes fituesve të Topit të Artë, duke e renditur përpara Lionel Messit.
Në atë sezon, Ronaldo realizoi 42 gola në të gjitha kompeticionet, duke ndihmuar Manchester United të fitonte Premier League-n dhe Champions League-n. Paraqitjet e tij mbresëlënëse i siguruan edhe Topin e parë të Artë në karrierë, në vitin 2008.
Në një postim në platformën X, të publikuar të enjten, më 29 tetor, 41-vjeçari Ronaldo shkroi: “Futbolli u përket tifozëve! Faleminderit të gjithë tifozëve në mbarë botën. Topi i Artë i të gjitha kohërave është edhe i juaji”.
Në vendin e dytë u rendit sezoni i vitit 2012 i Lionel Messit, kur argjentinasi shënoi plot 91 gola për klubin dhe kombëtaren gjatë vitit kalendarik. Ndërkohë, sezoni i Ronaldos me Real Madridin në vitin 2017 zuri vendin e tretë, duke konfirmuar dominimin e portugezit në këtë votim.
BOAT u organizua për të shënuar 70-vjetorin e Topit të Artë dhe u vendos nga votat e tifozëve, jo nga juria e gazetarëve që përcakton fituesin e çmimit tradicional. Votimi përfshiu dhjetë legjenda të futbollit që e kanë fituar Topin e Artë të paktën dy herë. Raportohet se një votë vlente 1 euro dhe tifozët patën mundësi të votonin disa herë.
Megjithatë, BOAT nuk është një Top i Artë i ri zyrtar, por një vlerësim simbolik i sezonit më të mirë në historinë e çmimit. Ronaldo ka pesë Topa të Artë, ndërsa Messi kryeson me tetë, por këtë herë portugezi doli fitues në votimin e tifozëve.








Komente
Komento