Shpirt i bukur

Shpirt i bukur
A do të gjejnë shpirtrat e bukur hapësirë në Shqipëri? Edhe pas gati 24 vitesh çlirim nga diktatura, duket sikur një tjetër diktaturë e pashpallur i detyron të marrin arratinë, ose të struken në të përditshmen e tyre mes një realiteti ende të vrazhdë. Ndoshta është diktatura e vrazhdësisë që tremb më shumë se çdo gjë tjetër një shpirt të bukur. Shumë “lulëzojnë” në vende të tjera dhe jo rrallëherë të qëllon të takosh jashtë Shqipërisë ekselenca shqiptare edhe në Tempujt më ekskluzivë. Mendojmë: po e kishim në Shqipëri e nuk e vlerësuam. I nderojmë përmes mediave të huaja. Ndonjë, ka vendosur të rikthehet e të krijojë mes nesh realitete të mrekullueshme që vetëm një shpirt i bukur di të realizojë, të tjerë, janë në përditshmen tonë dhe ne duhet të dimë t’i dallojmë, t’i respektojmë, nderojmë e t’i lemë të lirë. Vetëm një shpirt i bukur mund ta përmirësojë shoqërinë. Mund të na çojë të gjithëve në evoluim.

Cilët janë? Flas për ata njerëz që ekzistencën dhe suksesin e tyre e kanë ngritur mbi punën, të mirën, korrektësinë, profesionalizmin, pozitivitetin, përkushtimin, pasionin, respektin, mirëkuptimin, ndershmërinë.
Deri tani vendi i lulëzimit të tyre është më i ngushtë se një e çarë mikroskopike në asfalt nga ku me vështirësi ngre kokën një bimë. Efekti i punës së tyre është tretur si pak sheqer në një det të madh plot kripë, por ata janë, punojnë përditë në heshtje edhe në Shqipëri mes një mijë e një vështirësive. A ka ardhur koha që të bëhet një pakt në shoqërinë tonë dhe t’u lihet hapsirë, oksigjen? A dimë ne t’i dallojmë e t’i vlerësojmë?

Për shembull Eda, eksperte ndërkombëtare projektesh, e cila në karrierën e saj serioze dhe korrekte, i duhet të përballet me dhjetëra të tjerë që projektet për Shqipërinë i bëjnë dhe i fitojnë vetëm duke pasur garancinë se do të mund të mbajnë shumë para’ për vete, ryshfet për të tjerët, e pak gjë për projektin që synon të investojë realisht të mira për komunitetin.
Ose Linda, stilistja e talentuar që kërkon pëlhurat më të bukura dhe kalon ditën e saj deri në të ngrysur duke krijuar veshje që lumturojnë këdo.
Agroni, pediatri që nis punën herët në studion e tij, vizita në familje, ku kuron çdo pacient me ndershmëri e korrektësi dhe ka ndarë qartë punën private që bën nga ajo publike, pa dashur të përfitojë asgjë nga pacientët që nuk kanë mundësi.
Ose Ada, gazetarja e palodhur, e cila deri në orët e vona të natës kujdeset gërmë për gërmë që shkrimet e saj të dalin mirë, pasi çdo fjalë mund të ketë pasojë te ata që e lexojnë.
Ose Armela, balerina e talentuar që nis provat herët në mëngjes, e në perëndim, pas 12 orë provash, vazhdon të provojë personazhin që do të interpretojë edhe në shtëpi.
Ose Zana, mësuesja e qeshur, e dashur, që nuk do të do t’u bërtasë apo t’i godasë nxënësit, sepse mendon se dashuria, respekti është rritja më e mirë për një fëmijët.

Mendoj se këta janë disa shpirtra të bukur që i kemi rreth e rrotull të gjithë. Punojnë, krijojnë... përditë. E mbyllin ditën të lodhur, por të lumtur, të buzëqeshur që kanë bërë një punë të mirë. E pra, këta duhet të nisim t’i dallojmë, vlerësojmë, t’i nderojmë të gjithë. A do të gjejnë hapësirë?                    

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Bardhi ndjek live nga telefoni fjalimin e Berishës, batutë dhe me Mediun: Ju pritëm sa ju pritëm, filluam pa ju...!

Bardhi ndjek live nga telefoni fjalimin e Berishës, batutë dhe me Mediun: Ju pritëm sa ju pritëm, filluam pa ju...!