SHKUP – Në 20-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Mqedoni, përkon vizita që Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z.Aldo Bumçi, po zhvillon në Republikën e Maqedonisë. Takimi i parë u zhvillua me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Maqedonisë z.Nikola Poposki.

Burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme njoftuan se dy ministrat diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe, perspektivën e proceseve integruese në të dy vendet si dhe mbi zhvillimet në rajon dhe bashkëpunimin në kuadër të organizatave shumëpalëshe.

Ministri Bumçi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë që përkon me 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duke evidentuar se marrëdhëniet solide e dinamike, të miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit reciprok janë një bilanc i shkëlqyer në raportet mes dy vendeve.

Në politikën e saj rajonale, Shqipëria ka mbështetur një Maqedoni të qëndrueshme, të integruar dhe të zhvilluar, dhe në këtë kuadër vendi ynë ka mbështetur dhe vijon të mbështesë fuqishëm aspiratën e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Më pas dy Ministrat ranë dakord se zhvillimi i infrastrukturës, dhe veçanërisht Korridori VIII do të jenë përparësi e të dy qeverive. Po kështu lidhja hekurudhore, e sistemeve energjetike dhe bashkëpunimi në fushën e kulturës, turizmit dhe arsimit janë prioritare.

Duke u ndalur në rolin e faktorit shqiptar, Ministri Bumçi vuri në dukje se qytetarët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë janë faktor stabiliteti, konsolidimi dhe progresi për vendin dhe në këtë kuadër theksoi se zbatimi i plotë në frymë dhe në gërmë i Marrëveshjes së Ohrit është kyç për vendin dhe përparimin në procesin e integrimit europian.

Nga ana e tij, Ministri Poposki u shpreh se 20 vjetori i marrëdhënieve diplomatike shënon një kapitull të shkëlqyer në marrëdhëniet dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë. Ai evidentoi frymën shumë të mirë të bashkëpunimit për trajtimin e çështjeve dypalëshe dhe perspektivën e përbashkët të integrimit europian.

të dy Ministrat ranë dakord për zhvillimin së shpejti të forumit të përbashkët të biznesit, dhe të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, për të trajtuar me përparësi fushat e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në kuadër të zhvillimeve në rajon, thanë burimet zyrtare, të dy Ministrat përshëndetën marrëveshjen mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ministri Bumçi theksoi se kjo marrëveshje ka hapur një perspektivë të re edhe për rajonin, atë të bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal. Ai vlerësoi qëndrimin e Maqedonisë ndaj Kosovës, dhe në veçanti për mbështetjen ndaj pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe me të drejta të plota të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, pasi kjo i shërben edhe perspektivës europiane dhe euratlantike të të gjithë rajonit.

BUMÇI TAKOHET ME PRESIDENTIN E MAQEDONISE, GEORGE IVANOV

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi zhvilloi në Shkup një takim me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, z. Gjeorge Ivanov. Bumçi përcolli përshëndetjet e Presidentit Nishani dhe i dorëzoi Presidentit Ivanov ftesën për të marrë pjesë në Samitin e Presidentëve të rajonit që do të zhvillohet së afërmi në Shqipëri. Presidenti Ivanov, falënderoi për ftesën dhe konfirmoi edhe zhvillimin e vizitës së tij zyrtare në Tiranë, në vjeshtë të këtij viti.

Biseda u përqëndrua në fushat e bashkëpunimit dypalësh si në infrastrukturë, energji, turizëm, kulturë e arsim, etj. Presidenti Ivanov vlerësoi përpjekjet e të dy vendeve në proceset e integrimit europian. Ai shprehu gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin dypalësh, për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e dinamikës së marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në energji, infrastrukturë dhe turizëm.

Ministri Bumçi e njohu Presidentin me investimet që ka bërë Qeveria Shqiptare të cilat kanë lehtësuar ndjeshëm lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave, dhe theksoi se infrastruktura rrugore ka qenë prioritet absolut në këto vite qeverisjeje. Duke u ndalur tek roli i komunitetit shqiptar në Maqedoni, Ministri Bumçi theksoi se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është kyç për përparimin e vendit drejt BE, si dhe për konsolidimin e shtetit. Ai vlerësoi kontributin e faktorit shqiptar në Maqedoni i cili merr pjesë aktive dhe në mënyrë konstruktive në qeverisjen qëndrore dhe lokale në vend. Integrimi i plotë i shoqërisë është në interesin më të mirë të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë por edhe të të ardhmes së saj europiane, vuri në dukje Ministri. Në fund të takimit u ra dakord për shtimin e kontakteve dhe shkëmbimin e përvojave të fituara në proceset e anëtarësimit në NATO dhe BE.

TAKIM EDHE ME KREUN E PARLAMENTIT, VELJANOVSKI

Ministri Bumçi takon kreun e Parlamentit Veljanovski: Marrëveshja e Ohrit, bosht i marrëdhënieve ndëretnike”

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Ministri i Punëve të Jashtme z. Aldo Bumçi u takua me Kryetarin e Parlamentit, z. Trajko Veljanovski. Ministri Bumçi vlerësoi se pas 20 viteve, dhe një trashëgimie të vështirë, marrëdhëniet me Maqedoninë kanë një rezultante shumë pozitive. Ai u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë intensive dhe shumëplanëshe. Duke u ndalur në marrëdhëniet ekonomike theksoi se ato janë të mira por kanë një ende një potencial të madh për t’u zhvilluar më tej. Në këtë kuadër, ai vlerësoi se ndërtimi i infrastrukturës që lidh dy vendet por lehtëson dhe kontaktet mes njerëzve është i një rëndësie madhore. Në këtë kontekst vuri në dukje investimet që ka bërë qeveria shqiptare, së fundmi edhe me rrugën Tiranë-Elbasan, dhe nisjen e Rrugës së Arbrit, të cilat do të çojnë padyshim në rritjen e shkëmbimeve të mallrave, njerëzve dhe afrimin edhe më të madh mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Kryetari Veljanovski shprehu kënaqësinë për këtë takim, dhe vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai u shpreh se shpreson që Shqipëria të marrë së shpejti statusin e vendit kandidat, si meritë e reformave të zbatuara në vend.

Duke u ndalur në marrëdhëniet ndëretnike, Kryetari Veljanovski theksoi se Marrëveshja e Ohrit qëndron si bosht qëndror dhe se të gjithë po punojnë së bashku për zbatimin e saj.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)