Shqipëria marrëveshje me Izraelin
 për teknologjinë në Parlament

Shqipëria marrëveshje me Izraelin<br /> për teknologjinë në Parlament
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryetari i Parlamentit të Izraelit “Knesset”,  Yuli Edelstein, firmosen sot Protokollin e Bashkëpunimit për Promovimin e Administrimit Mjedisor mes Kuvendit të Shqipërisë dhe “Knesset”.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua sot në Pragë, gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar me rastin e Ditës së Holokaustit, ku marrin pjesë mbi 26 kryetarë parlamentesh nga e gjithë Evropa. Përmes kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, Kuvendi i Shqipërisë dhe “Knesset” rrisin përpjekjet e përbashkëta për përmirësimin e kushteve mjedisore përmes politikave të gjelbërta dhe për përdorimin e teknologjive të fundit brenda të dy parlamenteve.

Kjo marrëveshje u dakordësua gjate vizitës zyrtare të Kryetarit të Kuvendit, z. Meta në Izrael gjatë vitit të kaluar, ku u diskutua për marrjen e ekspertizës izraelite dhe përdorimit të modelit “Green Parliament” që “Knesset” ka jetësuar në aktivitetin e tij të përditshëm, duke inkurajuar kështu ndërgjegjësimin mjedisor të parlamentarëve dhe punonjësve të administratës në Shqipëri si dhe duke rritur kapacitetet teknologjike, që i shërbejnë krijimit të modelit “Parlamenti i Gjelbërt” në Shqipëri.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të protokollit, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta dhe Kryetari i Knesset z. Yuli Edelstein dhanë një prononcim për mediat:

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta:

Është nder i madh që firmosim sot këtë marrëveshje bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe “Knessetit” të Izraelit, e cila lidhet ngushtë me menaxhimin e qëndrueshëm dhe me “Parlamentin e Gjelbërt”. Ne mbështetemi tek “Knesset” dhe eksperienca e tyre e gjerë për të futur në përdorim teknologjitë më të avancuara në Parlamentin tonë. Dhe siç e theksoi edhe Kryetari i Knesset ky është një program për të ardhmen.Gjithashtu, jam mirënjohës ndaj popullit shqiptar për atë që ka bërë gjatë periudhës së tmerrshme të Holokaustit, duke mbrojtur të gjithë hebrenjtë në Shqipëri dhe duke mirëpritur shumë të tjerë nga e gjithë Evropa, gjatë periudhës më të errët të kontinentit tonë, duke kontribuar kështu jo vetëm për shpëtimin e hebrenjve, por edhe duke hedhur themelet e një miqësie të fortë me shqiptarëve dhe hebrenjve, mes Shqipërisë dhe Izraelit. Mirëpresim Kryetarin e “Knesset”, Yuli Edelstein, në Shqipëri dhe dëshirojmë të forcojmë më tej lidhjet mes dy parlamenteve tona dhe mes Shqipërisë e Izraelit, sepse kemi një të ardhme të ndritur përpara nesh.

Kryetari i “Knesset” të Izraelit, Yuli Edelstein:

Para se gjithash më duhet të theksoj se Kuvendi i Shqipërisë është një nga parlamentet e para që nënshkruan një marrëveshje të “Parlamentit të Gjelbërt” me Parlamentin e Izraelit dhe mendoj se është shumë simbolike, sepse siç e përmendët edhe ju zoti Kryetar, shqiptarët e kanë provuar se humaniteti dhe vlerat njerëzore janë shumë të rëndësishme për ta dhe e kanë treguar këtë në momentet më të errëta për hebrenjtë dhe për tërë historinë evropiane.Sot jemi këtu për të nënshkruar një marrëveshje për menaxhimin e qëndrueshëm për brezat e ardhshëm, për t’i mundësuar atyre që të jetojnë në një mjedis më të mirë dhe jam absolutisht i sigurt që ata do ta vazhdojnë punën në dobi, jo vetëm të mbrojtjes mjedisore, por edhe në interes të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ju falënderoj për ftesën tuaj dhe ju premtoj që do konsideroj ardhjen në Shqipëri me të mbaruar zgjedhjet në vendin tim, vizitë të cilën e pres me shumë kënaqësi. 


Marrë nga ATSH

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Hodhën molotovë e shkatërruan në protesta e 7 tetorit, arrestohen edhe 2 protestues! 5 nën hetim

Hodhën molotovë e shkatërruan në protesta e 7 tetorit, arrestohen edhe 2 protestues! 5 nën hetim