Gazeta “Kathimerini” shkruan se Athina do të vazhdojë përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit me trekëndëshin Qipro-Izrael-Egjipt duke përfshirë në planet e saj strategjike edhe Jordaninë për çështje që lidhen me politikat energjike dhe sigurinë, raporton Respublica.
Po ashtu ruajtja e ekuilibrave për çështjen palestineze dhe botën arabe janë të një rëndësie të dorës së parë. Në Ballkan, shkruan “Kathimerini”, marrëdhëniet me Shqipërinë janë të një rëndësie parësore për qeverinë greke, duke renditur në vend të dytë problemet me Maqedoninë. Burime të besueshme i thanë gazetës se vonesa në nënshkrimin e marrëveshjes për kufirin detar shton riskun e përplasjeve dhe tensionimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Negociatat me Shqipërinë për këtë çështje sipas “Kathimerini” konsiderohen të ngrira, pasi Tirana synon rinegocim nga e para të marrëveshjes me një metodë të re matjes së detare duke refuzuar parimin e barazlargësisë. Raportet me Shqipërinë karakterizohen nga hije të mëdha mosbesimi dhe të paktën në një të ardhme të afërt nuk pritet një relaksim i marrëdhënieve. Nga ana tjeterë Greqia mbetet e angazhuar në marrëdhëniet ekonomike dhe politike me fuqitë e mëdha si SHBA, Rusia e Kina, duke mos lënë pas dore edhe marrëdhëniet me Turqinë./Tema
Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)