Qeveria ka përcaktuar tri rrugë strategjike që mund të ndiqen për të arritur objektivat e veta në uljen e borxhit publik. Sipas varjantit të parë, në tregun e brendshëm do të përqendrohej 90% e huamarrjes dhe financimi i huaj do të përqendrohej vetëm në vijimin e objekteve në punë e sipër dhe huatë nga FMN, etj.
Kjo ofron koston më të ulët. Por mund të rriste interesat e bonove të thesarit. Strategjia e dytë synon 80-85% hua në tregin e brendshëm dhe 100 milionë euro në vit hua të re të jashtme. Kjo ka kosto më të lartë, por ul rrezikun ndaj kursit të këmbimit.
Ndërkohë, rruga e tretë e propozuar është dalja në tregun financiar ndërkombëtar me një Eurobond të tretë, duke qenë edhe se ai aktuali përfundon më 2020. Po qeveria e sugjeron këtë që të kryhet që në vitin 2018 dhe me një vlerë prej 400-500 milionë eurosh. Kostoja është më e lartë akoma, por siguron fondet në valutë për ripagesa borxhesh që janë të shumta në vitin 2019, sugjerojnë zyrtarët e Financave dhe Ekonomisë.
Tregjet
Në këtë mënyrë, duket e sigurtë që vendi do të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare për të siguruar borxh direkt nga investitorët, gjë që e bëri për herë të parë në vitin 2010, duke e përsëritur edhe në kohën e qeverisë Rama, në 2015-ën. Normalisht, duhej të pritej 2020-a, në mënyrë që marrja e borxhit të ri të bëhej kur shlyhen i vjetri. Por ideja e marrjes së borxhit në 2019-ën tregon se do të “mbivendoseshin” këto dy borxhe voluminoze.
Vlerësuesit
Dalja në tregjet e lira financiare ngre edhe një herë pyetjen para investitorëve të mundshëm: a ja vlen të blesh letra me vlerë të shtetit shqiptar? Për këtë, ata konsultohen më parë me agjencitë prestigjioze të vlerësimit, si Moody’s, Standard & Poor’s dhe Fitch, para së gjithash.
Këto kompani, që në vitin 2008, kur është porositur për herë të parë një vlerësim i tillë, nuk e kanë ndryshuar asnjëherë “notën” që i vënë Shqipërisë. Ajo është B1 (B+), me perspektivë pozitive.
Situata
Vlerësimi i fundit rezulton të jetë bërë më 5 dhjetor nga Moody’s. Sipas këtij vlerësimi, borxhi i Shqipërisë mbetet gjithnjë në nivelin B1. Sipas Moody’s, është bërë progres i dukshëm në reformat strukturore, ndërsa mendoheët që ecja në rrugën e dy reformave kyçe: asaj në administratë dhe drejtësi, mund t’i hapë rrugë vendit për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Me nota optimiste, agjencia thekson se është bërë progres i dukshëm në drejtim të forcimit të cilësisë së institucioneve, ndërkohë që progresi në reformën e Gjyqësorit ka përmirësuar perspektivën për hapjen e negociatave drejt Bashkimin Europian. Por, nga ana tjetër, borxhi publik është i lartë, edhe pse vitet e fundit ka ndjekur trajektore rënëse.
“Shqipëria është e vonuar në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit ndër shtetet që aspirojnë hyrjen në Bashkimin Europian, edhe pse në këto fusha është bërë progres që pas marrjes së statusit të kandidatit”.
Për vitin e ardhshëm agjencia pret që rritja ekonomike të jetë 3.9%, 0.2% më lart se parashikimet e FMN–së dhe më e ulët se vlerësimi i qeverisë shqiptare për një rritje në nivelet 4.1%.
“Nota”
Por, ndërkohë që stabiliteti shumëvjeçar i këtyre vlerësimeve të bën optimist, vetë “nota” e vënë nuk le shumë vend për të festuar. Ndër vlerësimet e ekonomive të vendeve të ndryshme, janë shtatë kategoritë e vlerësimit, që ndjekin agjencitë kryesore të sipërpërmendura. Sa i përket Moody’s, kategoria më e lartë, ku mund të investosh pa frikë, është ajo nga Aa1 deri në Aa3. Kategoria që vjen më pas është A1-A3 (e mesme e lartë) e më pas Baa1-Baa3 (e mesme e ulët).
Nga kategoria Ba1 fillojnë vlerësimet “kini kujdes!”, ku nuk këshillohen investime, ndërkohë që vendi ynë hyn në kategori edhe më poshtë se kaq: B1 deri në B3 konsiderohen si investime “shumë spekulative”. Këto të fundit, zakonisht japin fitime më të larta pë rata që kuturisin të investojnë, por edhe kanë risk më të madh se të tjerat. Ka edhe dy kategori të tjera, tek njera ku ekzistojnë rreziqe thelbësore dhe, e fundit, kategoria “ekstremisht spekulative”, të dyja këto, të cilat Shqipëria fatmirësisht i ka shmangur.
Fakti që gjithsesi qeveria shqiptare ka arritur, si në 2010-ën, ashtu edhe në 2015-ën, të sigurojë fondet, për të cilat kishte nevojë, tregon që, pavarësisht nga rreziqet, në botë ka operatorë financiarë, të cilëve u pëlqen rreziku. Si dhe fitimi. Të blesh bono 10-vjeçare të shtetit gjerman, nuk fiton më shumë se 0.3%-0.4% të shumës në vit, ndërkohë që shifra për Shqipërinë është më se dhjetë herë më e lartë. Ata që kanë investuar në eurobondet shqiptare e kanë marrë këtë fitim dhe mund të investojnë sërish.
Por megjithatë mbetet gjithnjë për t’u diskutuar fakti se pse ekonomia e vendit tonë nuk arrin të dalë në kategori më të larta vlerësimi. Kështu, psh, Serbia vlerësimin e ka Ba3, duke qenë dy kategori mbi Shqipërinë. Në po këtë nivel është edhe Maqedonia. Vetëm Greqia është akoma më poshtë, duke u endur në kategori të papërshtatshme për investime. Por dihet që ajo ndodhet në një krizë borxhesh, të cilën e ka shpallur publikisht, duke kërkuar ndihmë në pamundësi shlyerjeje.
Sikurse duket, edhe agjencia prestigjioze si kyç për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në sytë e investitorëve ndërkombëtarë, të cilët duhet të joshen me çdo kusht ndërkohë që dy investime madhore si TAP dhe HEC-et mbi Devoll do të hyjnë në fazën e përfundimit, mbeten reformat rrënjësore në fushën e Drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.
d.c./shqiptarja.com










