Në 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve me Vatikanin, Selia e Shenjtë shpreh zhgënjimin që përfaqësimi i Shqipërisë nuk është në nivelin e duhur diplomatik.
 
Përmes “Radio Vatikanit”, Selia e Shenjtë thekson se “Sot, në 25 vjetorin e marrëdhënieve mes Selisë së Shenjtë Apostolike dhe Republikës së Shqipërisë, Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit është pa ambasador.
 
Ndërsa Nunci apostolik i Vatikanit pranë Republikës së Shqipërisë, imzot Ramiro Moliner Ingles posa e ka përfunduar misionin e tij diplomatik  në Shqipëri (më 1 shtator 2016)
”.
 
“Radio Vatikani” thekson se ambasador i fundit i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë ishte Rrok Logu, i cili e përfundoi mandatin diplomatik në 2013.
 
Selia e Shenjtë vazhdon më tej duke deklaruar se kanali diplomatik është më i ngushtuar se kurrë në këtë përvjetor të vendosjes së marrëdhenieve.
 
Besonim se kanali që Shqipëria e shumëvuajtur pati fatin ta rilidhë me Selinë Apostolike, duke pasur parasysh se Selia e Shenjtë nuk është vetëm Shteti i Qytetit të Vatikanit, do të zgjerohej aq, sa ta forconte edhe lidhjen e popullit shqiptar me mbarë botën perëndimore. Ndërsa ky kanal na duket më i ngushtuar se kurrë, në këtë përvjetor”.
 
Në krye të Ambasadës së Shqipërisë në Vatikan është Visar Zhiti, por në pozicionin e të ngarkuarit me punë.
 
Visar Zhiti nuk u dekretua nga Presidenti Nishani për ambasador në Selinë e Shenjtë, ndërsa u dërgua si i ngarkuar me punë.
 
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit u rivendosën më 22 Tetor të vitit 1991 pas përndjekjeve ndaj klerit katolik nga sundimi komunist.
 
Të dielën në Vatikan u shenjtërua Nënë Tereza në një ceremoni madhështore.


d.b/shqiptarja.com