Njihuni me Amelia Topçijan, 25-vjeçarja e talentuar që mban në 'këmbë' traditën e të parëve në Shkodër: Për mua marketingu është i rëndësishëm

Njihuni me Amelia Topçijan, 25-vjeçarja e talentuar që mban në 'këmbë' traditën e të parëve në Shkodër: Për mua marketingu është i rëndësishëm

E talentuara, Amelia Topçija

Në Shqipëri, përpjekjet për të zhvilluar traditat dhe vlerat e së shkuarës hasin pengesa të mëdha. Ato bëhen edhe më të vështira kur përballë tyre është një vajzë e re. Amelia Topçija, një 25 vjeçare nga Shkodra, ka vendosur të çojë para biznesin mbi 100 vjeçar të familjes, atë të punimeve artizanale në tezgjah.

Sfidat që ndesh janë të shumta, por ajo ka vendosur të përballet dhe t’i tejkalojë ato, për të mbajtur gjallë traditën, në kujtim të të parëve të saj.

Të ndjekësh traditën, të ecësh para, të mos ndalesh, këto janë tri parimet ku mbështetet Amelia, 25 vjeçare, për të mbajtur gjallë mes vështirësive, dhe dashurisë, artizanatin. Ajo është brezi i katërt i një familje shkodrane, që ka vendosur të mbajë hapur jo vetëm derën e zemrës, por dhe atë të biznesit modest që trashëgon nga stërgjyshërit e saj, punimin në tezgjah. Një dashuri që e zgjoi pak kohë më parë. Në kohën e vështirë të pandemisë së koronavirusit, dhe të një prej momenteve më të rënda në jetën e saj, atë të ndarjes së parakohshme nga jeta të nënës Diana Mjeda, që ishte ai trau i fortë ku mbështetej biznesi i punimeve artizanale në tezgjah.

“Para tre viteve kur mami u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme, vendosa të kthehesha në Shkodër sepse isha për studime në Tiranë. Kur u ktheva vendosa për hatër të mamit që ajo të ndjehej më mire, si dhe për të vazhduar traditën e familjes ta hapja unë biznesin, pas izolimit nga pandemia e koronavirusit. Më ka ndihmuar dhe halla e mamit. Ato u larguan nga jeta të dyja brenda 6 muajve dhe pas vdekjes së tyre vendosa ta mbaj unë si punë, sepse pasi e fillon dashurohesh me të dhe bëhet e pamundur me heq dorë prej saj. Nuk e kam dash kur kam qenë e vogël, më dukej sikur s’ka fitime, dhe nuk e kuptoja sa e bukur ishte si punë”, u shpreh për Zërin e Amerikës Amelia Topçija sipërmarrëse sociale.

Tradita mbi 100 vjeçare e familjes ka kaluar në disa periudha, herë të suksesshme dhe herë të errëta. Stërgjyshi i Amelias nga nëna Luigj Mjeda, e zyrtarizoi biznesin e punimeve artizanale në tezgjah në Shkodër, pak pas shpalljes së pavarësisë dhe në prag të vendosjes së regjimit komunist, në vitin 1944 kishte të punësuara rreth 100 gra të zonës, të cilat punonin me tezgjah në shtëpitë e tyre. Ky biznes dhe jeta e tij ndryshoi tërësisht me ardhjen në pushtet të komunistëve.

“Ai ishte i persekutuar, puna u mbyll si çdo gjë tjetër private në Shqipëri. Përveç stërgjyshit që ishte në burg i gjithë brezi i fëmijëve dhe nipave të tij kanë vuajtur shumë nga komunizmi, pasi asnjë prej tyre nuk kishin të drejtë për t’u shkolluar. Kanë punuar të gjithë punë krahu dhe pse nga ana akadamike ishin shumë të zotë", vijoi Amelia Topçija, sipërmarrëse sociale.

Punimet në tezgjah gjatë regjimit komunist, familja Mjeda, i vijoi fshehurazi për nevoja personale për shumë vite, pasi puna private në atë kohë ndalohej.

“Gjatë kohës së komunizmit puna ka qenë shumë e vogël, vetëm me disa penj që kanë mundur të gjejnë nën dorë, në tregun e zi të asaj kohe. Vetëm një tezgjah ka mbetur nga ajo kohë. Përmes disa vidave, gjatë ditës ulej bëhej tavolinë zbukurimi, dhe gjatë natës më dritare të mbyllura punonte halla e mamit. Bënte rroba për vete dhe për nipat e mbesat. Shpeshherë dhe binte në sy, e pyesnin ku i ke bërë, bëhej problem në disa raste”, thotë Amelia Topçija, sipërmarrëse sociale.

Punimet në tezgjah dhe endja si pjesë e biznesit të familjes rinisën në vitet 2000, por kohët e fundit, kanë qenë të vështira për shkak të disa krizave, asaj të pandemisë, luftës në Ukrainë, krizës së çmimeve, si dhe ndarjes nga jeta të dy mentoreve të Amelias në biznes, nënës dhe hallës së saj, Diana dhe Tonine Mjeda.

Amelia ka kryer studimet e larta në degën e matematikës dhe ushtron profesionin e saj në Tiranë, por kjo kthesë dramatike në jetën e saj e vendos atë në krye të punëve që la pas nëna. Lidhja që ajo bën sot mes matematikës dhe punimeve në tezgjah është mbresëlënëse.

“Kam kryer studimet për matematikë, kam një punë të mirë në Tiranë, por mezi pres të vij në fundjavë në këtë punën këtu, që është aq e zhurmshme e rrëmujshme por dhe aq e bukur dhe e dashur për mua. Edhe kjo punë ka nevojë për shumë matematikë. Pjesa më e madhe e punës është 50-60% matematikë. Idetë e para të programimit kanë ardh nga punimet në tezgjah. Marr figurat ose shkronjat, i kaloj në fletë me katrorë, është ai proçesi që të thashë është matematikë. Në çastin që kam zbulu këto lidhje kaq të mëdha rreth karrierës time, shkollës që kam bërë dhe kësaj pune kam filluar të dashurohem edhe më shumë me të”, thotë Amelia Topçija, sipërmarrëse sociale.

Amelia, vajza e vetme e familjes Topçija, në këtë rrugëtim të ri, të vështirë dhe të bukur, mbështetet nga tre zonja, që endin, dhe punojnë në tezgjah. Për të kjo është thjesht, familja.

“Kam 45 vite që punoj në tezgjah. Kam punuar më hallën e nënës se Amelias, në ndërmarrjen e artistikes në Shkodër dhe deri më sot nuk jam shkëput nga kjo familje. Kam lidhje familjare me ta dhe i kam thënë Amelias se derisa të jem e zonja do punoj këtu”, u shpreh Nexhmije Zaganjori, artizane.

Ky biznes i vogël është vendosur në një ndërtesë mbi 150 vjeçare trashëgimi e të parëve të Amelias. Në Shqipëri aktivitete të tilla e kanë mjaft të vështirë të mbijetojnë. Ajo po bën të gjitha përpjekjet, për ta mbajtur në këmbë traditën. Përmes një projekti që bazohej në idetë novatore të të rinjve Amelia është mbështetur nga zyra rajonale për bashkëpunim rinor, RYKO, me projektin RISE (inkubatori rajonal për sipërmarrjen sociale, që mbështet inisiativat e të rinjve nga Ballkani perëndimor).

“Kam aplikuar dhe në projekte të tjera, por nga bashkia dhe qeveria s’kam patur mbështetje”, vijoi Amelia Topçija, sipërmarrëse sociale.

Amelia tregon me keqardhje se të rinjtë po i shkëpusin lidhjet me trashëgiminë artizanale. Ajo thotë se përpiqet të krijojë krah traditës, dhe modele bashkohore, me qëllim për t’u afruar me kërkesat në treg.

“Nëse vjen një turist dua të ketë dhe diçka bashkohore, një çantë një shall, kjo është ideja ime. Gjithashtu është dhe pjesa e investimit te marketing që është shumë i rëndësishëm. Mundohem sado të ardhura te jenë i fus në reklama online. Dëshira më e madhe nuk është fitimi. Këto kohët e fundit s’kam tërheq asnjë lekë personalisht nga biznesi. Gjithçka shkon vetëm për blerje, marketing dhe rroga. Dëshira ime më e madhe është të mbetet tradita gjallë", thotë Amelia Topçija, sipërmarrëse sociale.

Në gjithë rrëfimin e Amelias për Zërin e Amerikës, ndjehej vetëbesimi, guximi, dhe ajo zemra e gjerë e një vajze shkodrane. Aty ka vend për të shkuarën e saj, me themele të forta, për të ardhmen e panjohur, për artizanatin, por mbi të gjitha për vazhdimin e trashëgimisë mbi 100 vjeçare. Ajo thjesht ka vendosur krah kujtimit të nënës dhe stërgjyshërve të saj, t’i shtojë vitet e kësaj trashëgimie./VOA

M.T/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës