TIRANE - Shqipëria dhe Kosova do të kenë tekste të përbashkëta sa i përket arsimit parauniversitar. Ky ka qenë mesazhi që kanë përcjellë Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe Ministri i Arsimit të Kosovës Arsim Bajrami pas vizitës së këtij të fundit në Tiranë.

Kështu, pas unifikimit të programeve për të dyja shtetet, kurrikula të cilat do të aplikohen fillimisht në klasën e parë dhe të gjashtë të sistemit parauniversitar, pritet që të kemi edhe tekste të përbashkëta të cilat do të synojnë standardin dhe cilësinë e kërkuar.

"Ne do të vijojmë me ekipet tona të përbashkëta që mundësuan jo vetëm unifikimin e kornizës kurrikulare për të vijuar më pas me monitorimin e implementimit në 26 shkolla të kurrikulës së re të orientuar nga kompetencat, kryesisht në klasën e parë dhe të gjashtë dhe për të intensifikuar punën në të gjitha dakortësimet për implementimin e kësaj reforme në të gjithë sistemin tonë parauniversitar", tha Nikolla.

Kurse ministri i Kosovës u shpreh se ky bashkëpunim do të sjellë edhe cilësi në arsim.

“Kanë punuar grupet tona të përbashkëta dhe kjo përpjekje nuk do të ndalet. Këtë nuk do ta bëjmë vetëm për simbolikën, por do të mjaftohemi me programet të përbashkëta, me sistem të përbashkët, me kualitet dhe cilësi të përbashkët në arsimin parauniversitar", u shpreh Arsim Bajrami, ministër i Arsimit të Kosovës. Por, krahas bashkëpunimit në sistemin e arsimit parauniversitar gjatë takimit mes dy ministrave është rënë dakord për një bashkëpunim edhe në sistemin e arsimit të lartë, pasi aktualisht në të dyja shtetet është duke u përgatitur ligji i arsimit të lartë.

“Ky draft është një sfidë e përbashkët që do të mundësojë mobilitetin e studentëve, cilësi më të mirë për universitetet tona publike dhe private, por në të njëjtën kohë përmes standardeve të vendosura në Shqipëri dhe Kosovë do të mundësohet anëtarësimi i institucioneve tona të arsimit të lartë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, tha ministrja Nikolla.

Sipas saj, ekipet e përbashkëta për projektligjin e arsimit të lartë  do të kenë mundësi të ndajnë vizionet e tyre dhe qasjet e reja  në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Ndërsa ministri kosovar vlerësoi debatin e hapur në Shqipëri dhe Kosovë për ligjin e ri të arsimit të lartë dhe vuri theksin tek autonomia e universiteteve dhe vendosja e sistemeve të përhershme të monitorimit për cilësinë e tyre.

Shkrimi u publikua sot (07/02/2015) në gazetën Shqiptarja.com versioni print

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)