Shqipëria shënon 13 vjetorin e anëtarësimit zyrtar të saj në NATO. Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009.

Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Para, por edhe pas anëtarësimit, Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO, por edhe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Shqipëria është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 12 viteve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake.

Në periudhën 1992-1999, Shqipëria vazhdoi përpjekjet rreth procesit të aderimit, duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t'i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë.

Lidhur me këtë ditë të rëndësishme, ka reaguar edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:04
Shqipëria 13 vite në NATO, Ministri i Mbrojtjes: Trupat shqiptarë kanë shërbyer në çdo mision të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka kujtuar 13-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Me një postim bë Facebook, Peleshi shkruan se që prej  1 prillit të vitit 2009, trupat shqiptarë kanë shërbyer pothuajse në çdo mision të NATO-s. 

"Pavarësisht periudhave të caktuara, vokacioni i popullit shqiptar ka qenë ndër shekuj perëndimor. 13 vjet më parë ky vokacion u materializua me anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të madhe politiko-ushtarake që ka njohur bota. Që prej asaj dite, por edhe më herët, trupat shqiptarë kanë shërbyer pothuajse në çdo mision të NATO-s. Kontributi jonë, si një aleat i denjë i Aleancës do të shtohet çdo ditë e më tepër me qëndrimet dhe veprimet tona pro paqes dhe lirisë në botë. Gëzuar 13 vjetorin e Shqipërisë në NATO!", shkruan Peleshi.

Ora 10:52
Sot 13 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, Nikolla: Shqipëria, kontribut në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes në rajone të ndryshme

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka përshëndetur sot 13-vjetorin e anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në NATO.

"Gjatë këtyre  viteve, Shqipëria ka dhënë kontributin e saj proporcional dhe thelbësor, si një anëtare e denjë e NATO-s, në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajone të ndryshme: në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë; në ISAF dhe Misionin Resolute Support në Afganistan;  në misionet detare në Egje; në Prezencën e Përparuar të Përforcuar të  NATO-s në Letoni etj. Gjithashtu, Forcat tona të Armatosura kënë qenë dhe janë të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në Bosnje- Hercegovinë, Sudani i Jugut, në operacionin ushtarak UNMISS të OKB-së etj. Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim, profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në misionet e Forcave të Armatosura në kuadër të Aleancës. Sot kujtojmë me respekt Dëshmorët e Atdheut, Kapiten Feti Vogli, Major Klodian Tanushi dhe Nëntetare Zarife Hasanaj, të cilët ranë në krye të detyrës, në misionet ushtarake në Afganistan dhe Letoni, si Dëshmorë të Paqes, për një botë më të sigurt", shkruan ajo.