Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, priti sot në një takim gjeneral brigade Steven Ferrari, zv.komandant i Divizionit të 42-të të Këmbësorisë të Gardës Kombëtare të New Jersey-it, i cili ndodhet në vendin tonë për një vizitë në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcave tona të Armatosura dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-it, të SHBA-së.
Në qendër të këtij takimi ishin çështje të bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe SHBA-se, si partneri ynë strategjik, veçanërisht bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të New Yersey-it.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli shprehu vlerësimin e saj të lartë për bashkëpunimin e ngushtë në përgatitjen e kadetëve të rinj shqiptarë pranë Shkollës së Përgatitjes së Oficerëve të Gardës Kombëtare të New Yersey-it, duke theksuar se kjo praktikë do të vijojë edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, gjeneral brigade Ferrari u ndal te kontigjenti i ushtarakëve shqiptare që shkollohen në Gardën e New Yersey-it, duke vlerësuar veçanërisht përgatitjen, disiplinën dhe kërkesën që ata kanë ndaj vetes për cilësi të lartë.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se baza e një ushtrie moderne nis që nga rekrutimi, i cili duhet të përthithë brenda radhëve të Forcave të Armatosura të rinj me integritet të lartë moral dhe me përgatitje fizike.
Po sot, gjeneral brigade Steven Ferrari është pritur në një takim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo. Gjatë këtij takim u vlerësua bashkëpunimi ushtarak i suksesshëm midis Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-it, në kuadër të Programit të Partneritetit, i cili ka filluar që në vitin 1993.
Gjeneralmajor Bazo theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, i cili edhe pse në format dypalësh, ka kontribuar jashtëzakonisht në transformimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjë e cila u finalizua me hyrjen e Shqipërisë në NATO. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së vlerësoi se gjatë këtyre dy dekadave të bashkëpunimit, ushtarakët e dy vendeve kanë qenë krah për krah njeri-tjetrit, jo vetëm në trajnime e stërvitje, por edhe në operacione, gjë e cila kulminoi në dërgimin e 5 kontingjenteve të përbashkëta OMLT me mision trajnues të Ushtrisë Kombëtare Afgane.
Gjeneral brigade Steven Ferrari është pritur në një takim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo
Aktualisht, Programi i Partneritetit me Gardën Kombëtare të New Jersey-it është i fokusuar në fushat e edukimit, trajnimeve nëpërmjet Skuadrave të lëvizshme trajnuese (EOD), planifikimi për emergjencat civile, zhvillimi i trupës së nën/oficerëve, stërvitjeve të përbashkëta (Joint Reaction 15) dhe në kuadër të NATO-s (Trident Junction 15).
Gjeneral brigade Ferrari dhe delegacioni ushtarak i Gardës Kombëtare të New Jersey-it që ai kryeson, gjatë qëndrimit në vendin tonë do të vizitojë edhe disa reparte dhe qendra stërvitore të Forcave tona të Armatosura. /atsh/