Durrësi, gjatë kësaj periudhe ka pritur fluks vizitorësh në sitet historike dhe arkeologjike. Kulla Veneciane dhe Amfiteatri janë ndër monumentet më të vizituara, ndërsa turistë të organizuar në grupe apo në vizita individuale shihen në çdo orë të ditës pranë Forumit Bizantin, Mureve Rrethuese etj.

Per periudhën janar–mars 2026, Amfiteatri ka regjistruar 2008 vizitorë, i ndjekur nga Kulla Veneciane me 926 vizitorë. Sipas të dhënave nga qendra muzeore, turistët janë kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Izraeli etj.

Në qytetin bregdetar, sezoni turistik ende nuk është hapur zyrtarisht, por vitet e fundit duket se turistët nuk presin thjesht stinën e verës për ta vizituar atë.

Për mikrofonin e Report TV turistët shprehen: “Oh, është shumë i bukur. Shumë interesant.  Është dita jonë e parë sot. Tetë ditë do rrime dhe do të vizitojmë gjithë Shqipërinë. Na intereson historia dhe peizazhet natyrore. Po, gjithçka është shumë e bukur”.

“Sapo mbërritëm! Do rrime dy javë në Shqipëri, por vetëm një ditë në Durrës. Nuk dinim shumë për vendin para se të vinim. E dimë që ka histori dhe plazhe, kështu që do të shëtisim dhe do të shohim çfarë gjejmë. Kemi vetëm 15 minuta këtu, por duket bukur. Pamja e detit është shumë e këndshme”.

“Sapo mbërritëm dje në mbrëmje. Kemi vizituar shëtitoren buzë detit dhe Vilën e Mbretit Zog. Tani do të shkojmë në Parkun Kombëtar të Apolonisë.

 Unë jam nga Belgjika dhe ajo nga Maroku. Po bëjmë një udhëtim me makinë nëpër vend.. Do qëndrojme në Shqipëri rreth 10 ditë”.

“Shumë e bukur dhe interesante. Në Angli po flitet shumë për Shqipërinë. Është bërë shumë e njohur, cilesohet si “Kroacia e re”.

“Na pëlqen shumë. Kemi qenë tre ditë në Tiranë dhe kemi vizituar amfiteatrin romak dhe shëtitoren buzë detit. Ishte shumë bukur”.

Reklamuar nga mediat e specializuara në sektorin e turizmit si një nga destinacionet kryesore për t’u vizituar në Evropë, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turiste. Jo vetëm për bukuritë natyrore, historine e kulinarinë por dhe për shërbimet, siç është turizmi dentar, të cilin italianët e kanë zbuluar vitet e fundit.