Shqipëria dhe Holanda po punojnë për një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit. Kjo u bë e ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë vizitës së tij zyrtare në Hagë, ku u prit nga ministri holandez i Drejtësisë dhe Sigurisë, David van Weel.

Sipas Lamallarit, palët diskutuan mbi një marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive, e cila synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe operacional mes dy vendeve.

Ministri shqiptar prezantoi rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, duke përmendur ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve pranë Policisë së Shtetit dhe menaxhimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara.

“Rikonfirmova vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare dhe ndava me të rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftë kundër krimit të organizuar, përfshi ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve pranë Policisë së Shtetit  dhe menaxhimin efektiv të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara duke evidentuar potencialin e bashkëpunimit në drejtim të forcimit të mekanizmave të hetimit financiar dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese”, thotë ministri Lamallari.

Lamallari theksoi se të dyja palët konfirmuan angazhimin për thellimin e shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit operacional mes strukturave policore.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e Holandës në proceset reformuese të Shqipërisë dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke shtuar se objektivi për përmbylljen e fazës teknike të negociatave brenda vitit 2027 është i arritshëm.

“Konfirmuam angazhimin e përbashkët për të thelluar shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin operacional policor. Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës në proceset tona reformuese dhe në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Progresi ynë me negociatat është evident dhe objektivi ambicioz për përmbylljen e fazës teknike brenda 2027 është plotësisht i arritshëm”, shkruajti Lamallari rrjetet sociale

Gjatë qëndrimit në Hagë, ministri Lamallari pritet të zhvillojë takime edhe në Eurojust dhe Europol.