Bashkëpunimi ushtarak mes Shqipërisë dhe Italisë ishte në fokus të takimit mes Presidentit Bajram Begaj dhe gjeneralit italian Luciano Portolano në Tiranë.

Gjatë bisedës, Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke i cilësuar ato si një partneritet strategjik që vijon të forcohet.

Begaj ndaloi te roli i Italisë në mbështetje të Shqipërisë, si në procesin e integrimit euroatlantik, ashtu edhe në modernizimin e Forcave të Armatosura përmes trajnimeve dhe rritjes së kapaciteteve mbrojtëse.

Në fokus ishte edhe bashkëpunimi në misionet ndërkombëtare, ku trupat shqiptare dhe italiane kanë shërbyer krah për krah në operacione në Afganistan, Kosovë, Letoni, Bullgari dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

Presidenti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Shqipërisë dhe forcave të saj të armatosura.

Gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e misionit KFOR për garantimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon, duke e konsideruar një element kyç për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Begaj u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes pritet të forcohet edhe më tej, në funksion të sigurisë dhe paqes së përbashkët.