Komisariati i Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik dhe Policinë Bashkiake ka ndërmarrë një aksion për të gjitha ata që kanë zaptuar hapësirat publike, duke i përdorur ato si vend parkimi për shitblerje apo dhënie me qira të automjeteve.

Sipas informacioneve zyrtare, të gjithë personat që kanë zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike jo vetëm që do t’u largohen automjetet dhe do të ndëshkohen me gjoba sipas ligjit, por edhe  do të përballen edhe me procedime penale.

Autoritetet bëjnë me dije se ky aksion synon lirimin e hapësirave publike për qytetarët, si dhe vendosjen e rregullit në përdorimin e tyre. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve dhe subjekteve që të respektojnë ligjin dhe të mos i përdorin këto hapësira për qëllime private apo përfitime ekonomike të paligjshme.

Aksioni pritet të shtrihet në të gjithë qytetin e Vlorës dhe do të vijojë edhe në ditët në vijim, me kontrolle të shtuara në zona të ndryshme problematike.