Ka vetëm një shpëtim se si të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, të mësojmë nga historia dhe kjo bëhet vetëm nëse të shkuarën e dimë pa gënjeshtra.

“Duhet të tregojnë çfarë ka ndodhur, pa gënjeshtra, duke treguar realitetin në terren.”, thotë Rajmund Fekete, Drejtor i Institutit për Kërkime në Komunizëm në Hungari.

I ftuar nga homologët e tij të Tiranës, Fekete e kishte të qartë mesazhin për rolin e institucioneve, në një kohë kur vende si Shqipëria nuk kanë përfundur procesin e dekomunistizimit.

“Ne ndajmë të njëjtat rrënjë, të njëjtën histori, të njëjtën përvojë të shekullit të 20. Mendoj se në nivelin e njerëzve të zakonshëm duhet të arrijmë zemrën e tyre, nëse mund ta them këtë fjalë. Sepse nëse arrin zemrën e fëmijëve, zemrën e brezit të ri me histori, me gjëra emocionale, ata do ta kuptojnë. Kjo është ajo që po bëjmë në Muzeun e Shtëpisë së Terrorit, për shembull, sepse çdo dy herë në vit bëjmë kurse të jashtëzakonshme historie, ture të jashtëzakonshme me guidë etj.”, - thotë ai për "Report TV".

Dekomunistizimi në Hungari nisi duke rrëzuar një simbol, me krijimin e Muzeut të Shtëpisë së Terrorit në Hungari, i cili u hap në vitin 2002 është një përpjekje e suksesshme, për të paraqitur një narrativë historike kombëtare.

“Në Hungari, në vitin 2002, Muzeu i Shtëpisë së Terrorit hapi dyert e tij. Kjo shtëpi, kjo ndërtesë ishte dikur selia e partisë naziste hungareze dhe më pas, kur komunistët hynë në Hungari dhe pushtuan vendin tonë, u bë selia e policisë sekrete hungareze. Pas rënies së komunizmit, Hungaria ishte vendi i parë në atë rajon që ndërtoi atë lloj muzeu, që tregon se diktatura naziste dhe komuniste vijnë nga të njëjtat rrënjë.”, thotë Fekete.

Fekete ishte ftuar në Tiranë në për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Pushteti dhe Kontrolli i Shoqërisë në regjimet komuniste”, për të ndarë përvojën e cila jo rrallë duket si një “Deja Vu” historike në të gjitha vendet ish komuniste.